
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama dhe drejtues të lartë të drejtësisë, duke pretenduar se prokurori që ka thirrur si të pandehur zv.kryeministren Belinda Balluku është kërcënuar “nga vrasës dhe nga vetë Rama”.
> “Prokurori që guxoi të firmosë thirrjen e saj u përball me kërcënime vrasësish, me kërcënime indirekte të bosit të tij, Troplinit, në krye të SPAK-ut, por edhe me kërcënime direkte të kryeministrit nëpërmjet telefonit të faqezi Manjës, Ulsi Manjës,” – deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi Ballukun “zëvendësen më besnike të Ramës në 25 vitet e fundit”, duke shtuar se marrja e saj e pandehur përbën “vetëm një të mijëtën e shpërdorimeve dhe aferave që ajo ka kryer”.
Sipas Berishës, “narkoshteti” i Ramës “kundërmon më shumë se kurrë”, ndërsa akuzoi kryeministrin se “përdor propagandën dhe presionin për të mbuluar krimet e pushtetit”.
Në një deklaratë të dytë për mediat, Berisha komentoi edhe zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ai u ndal tek mënyra se si u mor vendimi për pezullimin e tij, duke bërë një krahasim të fortë:
“Veliaj tha se e rrëmbyen njësoj siç bëri FARC-u në Kolumbi, duke shkelur të gjitha procedurat ligjore,” – tha Berisha.
Kreu i PD-së e cilësoi protestën për arrestimin e Veliajt si “një nga më të rëndësishmet që ka bërë PD”, ndërsa shtoi se, edhe pse opozita e mbështet hetimin dhe dënimin e tij, “procedurat ligjore janë themelore në një vend demokratik”.
“Ne e kemi mbështetur dhe e mbështesim arrestimin e tij, por duhet të jemi të drejtë: procedura është përcaktuese për të drejtat e njeriut dhe për shtetin ligjor,” – theksoi Berisha.
 
            
 
	