Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur sot një fjalim të gjatë dhe të ashpër në takimin me kryetarët dhe sekretarët e degëve të PD-së, ku e cilësoi vitin 2026 si vitin më vendimtar për opozitën dhe për fatin politik të Shqipërisë.

Berisha theksoi se përballja me qeverinë e Edi Ramës nuk është më një betejë e zakonshme politike, por një mision historik për rrëzimin e asaj që ai e quajti “narko-diktaturë”. Sipas tij, largimi i Kryeministrit Rama nuk do të vijë nga drejtësia apo nga faktorë ndërkombëtarë, por vetëm nga qytetarët dhe opozita.

Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së renditi një sërë akuzash të rënda ndaj qeverisë, duke përfshirë vjedhje masive të buxhetit të shtetit, abuzime me fondet publike, aferën e Portit të Durrësit dhe skandalet në AKSHI. Berisha akuzoi drejtpërdrejt Kryeministrin Rama se ka urdhëruar hakerimin e dosjeve të SPAK, duke e cilësuar këtë si provë të shkatërrimit të shtetit ligjor dhe kapjes së drejtësisë.

“Ky është një pushtet që nuk njeh asnjë normë, asnjë parim dhe asnjë ligj. Është shndërruar në një organizatë kriminale”, u shpreh Berisha, duke shtuar se nga 67 miliardë euro taksa të mbledhura nga qytetarët shqiptarë, shumica dërrmuese, sipas tij, janë vjedhur.

Në fokus të veçantë të fjalimit ishte edhe riorganizimi i brendshëm i Partisë Demokratike. Berisha u shpreh prerë se kush ka bashkëpunuar me kundërshtarin politik për interesa personale apo biznesi “nuk ka vend në mënyrë absolute në Partinë Demokratike”, duke i ftuar ata të largohen.

Ai paralajmëroi gjithashtu analiza të thella brenda partisë, ku do të evidentohen edhe ata drejtues apo funksionarë që nuk kanë punuar gjatë fushatës elektorale, duke theksuar se poste drejtuese nuk mund të mbahen nga ata që kanë treguar indiferencë në momente kyçe.

Një tjetër pikë kyçe e fjalës ishte mbështetja e palëkundur për primaret. Berisha theksoi se PD nuk do të heqë dorë nga ky proces, duke e cilësuar atë si standard bazë të demokracisë së brendshme dhe mënyrën e vetme që anëtarësia të flasë me votë. Ai kërkoi regjistra të saktë dhe një verifikim të plotë të anëtarësisë, duke ia deleguar këtë përgjegjësi degëve të partisë.

“Ne jemi parti e terrenit dhe terrenin e zotërojmë vetëm kur kemi struktura reale, anëtarësi reale dhe organizim real”, deklaroi Berisha, duke bërë thirrje për riorganizim nga grup-seksioni deri në degë.

Në përfundim, kreu i PD-së i bëri thirrje strukturave dhe anëtarësisë që t’i përgjigjen “orës së tyre historike”, duke u angazhuar në protesta, organizim dhe betejë politike deri në largimin e qeverisë aktuale nga pushteti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu