Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është ndalur te fitorja plebishitare e Donald Trump, si Presidenti i 47-të i Amerikës. ‘Fitorja e Trump ishte goditja më e rëndë ndaj ekstremit të majtë, që financohej dhe frymëzohej nga monstra e njerëzimit, Xhorxh Soros’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar.

Lideri i demokratëve, gjatë fjalës së tij solli në vëmendje edhe njëherë vjedhjen që po bëhët nga kjo qeveri me projekt buxhetin e paraqitur në parlament. Berisha risolli në vëmendje vjedhjet që po i bëhen pensionistëve, fermerëve dhe 40% të shqiptarëve në vend.

yacht hotel sarande

Kreu i opozitës, Sali Berisha është shprehur në tubimin e përnatshëm se zhvillimi i infrastrukturës bujqësore është premtimi solemn i Partisë Demokratike në kohën kur ajo do të vijë pushtet. ‘Qeveria do subvencionojë normat e interesit të kredive bankare në fushën e bujqësisë në masën 80 përqind të tyre.’- u shpreh më tej Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se marrëveshja e Ramës dhe Vuçiç kundër fermerëve shqiptarë do të marrë fund në parlamentin e ardhshëm. “Miqtë e mi, për ne krijimi i mirësive, pasurive, begatimi kudo që jetojnë shqiptarët, është dhe mbetet qëllimi ynë madhor.”- u shpreh Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufishme ju pararendësve të fitores së opozitës shqiptare, fitores së Shqipërisë dhe kombit shqiptar mbi narkoshtetin, krimin, drogën dhe të shkuarën e tij.

Të dashur miq, një përshëndetje gjithashtu dua t’u bëj oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë, që çdo natë me guxim përcjellin tek mbarë shqiptarët të vërtetat e hidhura, por edhe perspektivën që çel opozita shqiptare sot në rrugën drejt fitores.

Të dashur miq, fitorja e djeshme e presidentit Donald Trump, fitore mbi hipokrizinë, mashtrimin, por dhe mbi agresionin ndaj dinjitetit dhe identitetit të njeriut, ishte goditja më e rëndë që ekstremi i majtë ka marrë në të gjithë dy dekadat e fundit.

E financuar dhe e frymëzuar nga monstra e njerëzimit, Xhorxh Soros, për fatin më të keq së pari të kombit amerikan, por pastaj të miqve dhe partnerëve të SHBA në botë, bazuar në këtë ideologji, u vërsulën kundër identitetit të njeriut.

Kundër dinjitetit të tij.

Kundër familjes, folesë mijëravjeçare të shoqërisë njerëzore, të civilizimit njerëzor.

Kjo erë e ekstremistëve amerikanë fryu më shumë se kudo tjetër në Shqipëri.

Edi Rama dhe Erion Veliaj u bënë flamurtarë të eksperimentimit të këtij agresioni moral kundër lirive dhe të drejtave, dinjitetit dhe identitetit njerëzor.

Në të vërtetë, këto përbënin një agresion edhe ndaj orientimeve gjinore, por edhe orientimeve seksuale të individëve.

Imagjinoni ju për një moment të dashur miq, zonja që humbi dje zgjedhjet, ishte zotuar se do financonte ndryshimin e gjinisë në spitale private dhe publike të emigrantëve ilegalë.

A nuk ishte kjo një ftesë për më të varfrit e botës të vërshonin dhe të bënin një operacion që të mund të jetonin në Amerikë?

Ua solla këtë shembull për të qenë të vetëdijshëm se vota pardje e kombit amerikan ishte një votë për vlerat më të arrira të njeriut, dinjitetit të tij, familjes së tij, identitetit të tij.

Ndaj dhe ftoj shqiptarët të mendojnë, ftoj qytetarët e këtij vendi të mendojnë a kemi gjë më të çmuar, më të dashur se familjen?

A mund të pranojmë ne se nëna e baba të quhen numra, 1 dhe 2, pale të dalë edhe një i tretë, as nënë, as baba?

Pra, u ndala pak në këto elementë për të kuptuar rëndësinë historike të asaj vote.

Dhe unë zotohem këtu se PD do ketë ligjet më të forta për mbrojtjen e dinjitetit njerëzore, për mbrojtjen e familjes shqiptare.

Nuk do mundet kurrë të imagjinojë njeri të shuhet fjala nënë dhe baba, fjalët më të dashura të çdo njeriu, t’i zëvendësojë me numra.

Por, ju garantoj se të gjithë ata që luajtën me familjen shqiptare, do përballen me ligjet dhe ndëshkimet përkatëse.

Kurse doktrinarët e saj, Aleksis Soros, do shpallet non-grata përgjithmonë në Shqipëri.

Të dashur miq, sot në parlament paraqitet buxheti 8 miliardë euro.

E kam theksuar dhe e theksoj, buxheti i vjedhjes më të madhe në të gjithë historinë tonë kombëtare.

Buxheti, në të cilin, për rreth 800 mijë pensionistë shqiptarë, janë vendosur gjithsej 16 milionë euro.

Nga 8 miliardë, janë vendosur 16 milionë për rreth 800 mijë pensionistë, të cilët sot e blejnë bukën 100 përqind më shtrenjtë se në vitin 2013.

Sot blejnë ushqimet bazë 60 gjer në 100 përqind më shtrenjtë se 10 vite më parë.

Pra, sot pensioni i tyre vlen minimumi 40 përqind më pak se 10 vite më parë.

Por, a mos janë vetëm pensionistët të përbuzurit, të përçmuar, të injoruar nga narkohajdutët Edi Rama dhe ekipi i tij hajdut?

Jo mor jo, kështu janë sot 40 përqind e shqiptarëve, të cilët vazhdojnë jetesën në fshat.

Këto ditë kam lexuar, dhe ndoshta edhe ju i keni parë, titujt e portaleve dhe gazetave se vaji i ullirit ka arritur çmimin maksimal.

Miqtë e mi, dy vjet më parë prodhimi i ullirit arriti në 160 mijë ton, sepse rrënjët e ullirit u financuan dhe u mbollën nga 4 milionë që kishin ardhur në gjithë shekujt, arritën në 11 milionë.

Ju lutem, a keni dëgjuar ju këto 10 vite të jetë përdorur njëherë fjala ulli nga Edi Rama? E konsideron pemë armike sepse e trefishoi në mbjellje qeveria e PD.

Ndaj dhe ka ndërprerë çdo financim, përkundrazi edhe 160 milionë euro që i dha BE për fermerët shqiptarë, i vodhën ministrat, i vodhën zyrtarët për hotele, për motele, për të blerë troje turistike, për ahengje, dhe vetëm fermerët nuk i morën.

Krim i shëmtuar, Brukseli reagoi dhe po heton, por ato ishin të gjitha të përcaktuara për fermerët shqiptarë.

Po buxheti çfarë parashikon për 40 përqind të fermerëve tanë? Buxheti parashikon gjithsej 40 milionë euro, turp i dheut.

Parashikon as një të pestën e asaj që financon Maqedonia apo Kosova.

Parashikon as një të tetën të asaj që parashikon buxheti i Serbisë.

Pra, ndaj dhe këta fermerë në vend që të mbledhin ullinjtë e tyre, shkojnë dhe mbledhin ullinjtë e Greqisë, Italisë dhe vendeve të tjera.

Por unë jam sot këtu para jush për të garantuar fermerët shqiptarë se buxhetet e ardhshme, fermerët do të kenë një financim prej 150-200 milionë eurosh në vit.

Se do ketë mbështetje direkte për të gjithë sektorët, bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, akuakulturën, akuaindustrinë mbi bazën e sipërfaqes, mbi bazën e prodhimit dhe numrit të krerëve.

Çdo fermer që aplikon mbështetje në fushat prioriare të përcaktuara nga qeveria.

Eksporti, blegtoria, pemëtaria, agropërpunimi do përfitojnë mbështetje nga shteti pa asnjë kufizim.

Qeveria do subvencionojë normat e interesit të kredive bankare në fushën e bujqësisë në masën 80 përqind të tyre.

Kjo ndërhyrje është emergjente për shpëtimin e bujqësisë shqiptare nga falimentimi i plotë.

Do subvencionohen skemat e e sigurimit të pronës në bujqësi, sigurimit të dëmtimeve nga fatkeqësitë natyrore. Ky subvencionim do jetë në masën 75 përqind të primit të sigurimit.

Zhvillimi i infrastrukturës bujqësore është premtimi ynë solemn.

Çdo vit ujitja dhe kullimi do ketë investim prej të paktën 70 milionë euro. Brenda 4 viteve ne do dyfishojmë aftësitë ujitëse dhe kulluese në të gjithë sipërfaqen bujqësore.

Të dashur miq, me një marrëveshje të fshehtë me Beogradin, me padronin e tij, Edi Rama vendos mbi fermerët shqiptarë sistemin më armiqësor që ekziston kund të taksës së vlerës së shtuar.

Zero në blerje, 20 në shitje.

Çfarë do të thotë kjo miqtë e mi?

Kjo do të thotë që të gjithë operatorët e fushës në bujqësi të mos blejnë produktet e fshatarëve, por të marrin produktet e importit.

Atyre t’u kalbet në fushë, kurse fermerëve të Shumadishës të vijnë dhe të përpunohen në Shqipëri.

Ky akt armiqësor, antishqiptar do marrë fund javën e parë të parlamentit të ardhshëm.

Do krijohet agjencia e studimit të tregjeve dhe orientimit të fermerëve në mënyrë që të mos ndodhë kjo që ndodh rëndom tani, ku qindra e mijëra kuintalë prodhime të klasit të parë përfundojnë në kanale, groposen për shkak të dezorientimit të plotë për tregun dhe mosinformimin e tyre.

Do garantohet shërbimi bujqësor dhe blegtoral nga shteti në çdo rreth, në çdo qark, i organizuar dhe falas.

Do investohet për mekanizmin dhe modernizimin e mekanikës bujqësore.

Një kontroll i rreptë do jetë mbi importin e imputeve bujqësore. Cilësia e tyre do jetë kushti i të gjitha kushteve për t’u shpërndarë në këtë vend.

Siguria ushqimore, e cila sot është si kurrë më parë keq, do jetë një përparësi absolute.

Pra, miqtë e mi, për ne krijimi i mirësive, pasurive, begatimi kudo që jetojnë shqiptarët, është dhe mbetet qëllimi ynë madhor.

Ndaj dhe të bashkohemi, është radha jonë, është radha jonë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu