
Në një takim me qytetarët e Beratit, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi premtimet e pambajtura të qeverisë aktuale dhe shpalli vendosmërinë e opozitës për t’i dhënë fund një periudhe 12-vjeçare të braktisjes dhe varfërisë për këtë qytet historik.
“Premtimin për ishullin e Osumit e mori lumi. Edi Ramës i ngeli vetëm turpi dhe mashtrimi,” deklaroi Berisha, teksa përmendi simbolikisht dështimin e projekteve të mëdha të premtuara nga qeveria për qarkun e Beratit.
Takimi shënoi gjithashtu prezantimin zyrtar të kandidatëve të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Beratit, një ekip i ri dhe energjik që Berisha e cilësoi si “krenaria jo vetëm e Beratit, por e të gjithë Shqipërisë”.
Në prani të aleatëve dhe drejtuesve të lartë të PD-së, përfshirë Agron Dukën, kryetar i PAA; Enno Bozdon, drejtues politik i qarkut; dhe Shyqyri Duron, kryetar i degës lokale të PD-së, Berisha u shpreh i bindur se qytetarët do t’i japin fund një epoke të errët dhe do të votojnë për ndryshimin e shumëpritur.
“Berati, diamant në kurorën e trashëgimisë kulturore botërore, meriton më shumë. Universiteti u mbyll, investimet mungojnë, dhe qyteti jeton në kohën e ndalur. Ne jemi këtu për ta rikthyer shpresën dhe për ta ngritur Beratin aty ku e ka vendin,” u shpreh ai ndër të tjera.
Fjalimi u përshëndet me entuziazëm nga të pranishmit, ndërsa kandidaturat e reja të PD-së u prezantuan si zëri i shpresës për qytetarët e këtij qarku.