
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur nga Foltorja para Kryeministrisë, përshëndeti protestuesit e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, duke deklaruar se opozita ka nisur atë që e cilësoi si “beteja përfundimtare” kundër kryeministrit Edi Rama.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi Ramën për korrupsion të shfrenuar, frikë dhe represion ndaj protestave qytetare, duke theksuar se largimi i tij nga pushteti, sipas tij, do të vijë vetëm përmes një mobilizimi masiv të qytetarëve.

“Kur ne ta zëmë këtë shesh me betimin se nuk do ta lëshojmë pa largimin e tij, ai do ia mbathë”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar kryeministrin si “kryehajdut” dhe “kryefrikacak të kombit”.
Kreu i PD u ndal edhe te protesta e Adriatik Lapajt para Kryeministrisë, duke akuzuar policinë për veprime represive ndaj protestuesve. Sipas Berishës, ndërhyrjet e forcave të rendit, heqja e çadrave, tavolinave dhe madje edhe e ujit, janë dëshmi e frikës së kryeministrit nga zëri qytetar.
“Edi Rama vjedh shqiptarët ditë e natë dhe nuk ngopet kurrë. Të gjitha këto i bën sepse e lejojmë ne. Por kjo do të marrë fund”, u shpreh ai para mbështetësve.

Tensione në protestën para Kryeministrisë
Ndërkohë, gjatë protestës së zhvilluar nga Adriatik Lapaj para Kryeministrisë janë shënuar tensione dhe përplasje me policinë. Sipas raportimeve, një protestues ka mbetur i lënduar rëndë, ndërsa është kërkuar ndërhyrja e ambulancës.
Një nga protestueset është dëgjuar të kërkojë urgjentisht ambulancën, duke theksuar se i lënduari vuan edhe nga probleme me zemrën.
Protesta vijon në një klimë të tensionuar, ndërsa reagimet politike dhe qytetare pritet të intensifikohen në orët dhe ditët në vijim.






