
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është ndalur te ajo që e quajti “birësim politik” i Ervin Salianjit, duke theksuar se kjo zgjedhje, sipas tij, e përjashton nga gara në PD.
Në deklaratën e tij, Berisha përdori disa herë termin “birësim”, duke lënë të kuptohet se Salianji është lidhur politikisht me një tjetër figurë apo grupim brenda politikës.
“E birësuan. Po të mos birësohej, do ishte ai. Ai zgjodhi vetë birësimin, iku, mori fund”, u shpreh Berisha.
I pyetur se kush qëndron pas këtij “birësimi politik”, Berisha shmangu përgjigjen direkte, duke iu drejtuar gazetarëve:
“E gjeni vetë ju. Shihni vetë”, tha ai.
Sipas tij, vendimi i Salianjit është personal dhe nuk lidhet me frikë nga gara, por me një zgjedhje politike që, sipas Berishës, e nxjerr atë jashtë strukturave të Partisë Demokratike.
Deklaratat vijnë në një moment kur në PD po afrohen zgjedhjet për drejtimin e partisë dhe janë shtuar zërat për kandidatura alternative.



