
Në Foltoren e mbajtur mbrëmjen e sotme, para kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se PD është e vetmja forcë politike në hapësirën ish-komuniste që i ka mbijetuar të gjitha përpjekjeve për t’u zhdukur, dhe sot mblidhet për të rikthyer në piedestal idealet e Lëvizjes së Dhjetorit 1990.
Berisha nderoi Azem Hajdarin dhe studentët e Dhjetorit, të cilët përmbysën regjimin më të egër të kohës dhe hapën dyert e lirisë për shqiptarët. Ai theksoi se gjeneratat e reja sot janë në krye të betejave për liri në mbarë botën, por në Shqipëri, rinia po detyrohet të largohet masivisht.
Lideri demokrat, Sali Berisha, u shpreh se misioni i opozitës sot lidhet drejtpërdrejt me shpëtimin e kombit, familjes dhe të ardhmes së shqiptarëve, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se është hajduti më i madh i kombit, përgjegjës për shkatërrimin e arsimit, institucioneve dhe largimin e 70% të të rinjve nga vendi.
Berisha bëri thirrje për mobilizim dhe përgatitje për protesta të fuqishme, të cilat do t’u rikthejnë shqiptarëve të ardhmen, nderin dhe dinjitetin.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, qytetareve dhe qytetarëve të pranishëm sonte në këtë shesh, sheshin e lirisë.
Një përshëndetje dhe nderimin më të madh studenteve dhe studentëve të dhjetorit 1990, që të prirë nga tribuni legjendar i kombit, nga studenti Azem Hajdari, ndanë epokat, përmbysën epokën e shtypjes më të egër, shpërfytyrimit më të madh të shqiptarëve dhe çelën dyert e lirisë për kombin tonë, çelën dyert e përparimit, e të ardhmes së shqiptarëve.
Çelën dyert për zgjidhjen e problemit, e çështjes shqiptare.
Të dashur miq, këto dy vjet është shkruar dhe folur shumë për gjeneratën Z, gjeneratë e cila, janë të rinjtë që në fakt përmbysën diktatura mizore në Nepal, në Bangladesh dhe në vende të tjera.
E vërteta është se kjo gjeneratë është bërë zëdhënësja më e guximshme, më e shkëlyqer e idealeve të kohës, e aspiratave të kohës.
Është kjo gjeneratë pra në krye të betejës për liri të shoqërisë njerëzore.
Por po të kthehemi 35 vite më parë, studentët e Universitetit të Tiranës ishin në kushte më të pakrahasueshme se studentët e asnjë vendi tjetër.
Në Shqipëri, gjithçka, çdo përpjekje ishte shtypur dhe vendimi i përgjithshëm dukej se për Shqipërinë ishte, kështjellë e socializmit në brigjet e Adriatikut.
Një grup i vogël studentësh, jo më shumë se qindra, nuk qenë dakord dhe një natë të 8 dhjetorit, dolën në protestë në qytetin e tyre.
Ata në 1 të natës u pritën nga Presidenti i Republikës i asaj kohe, i cili pas takimit u rezervoi atyre kërbaçin e Sigurimit të Shtetit.
Miq, të nesërmen ata mbushën sheshin dhe rrugët, firmosën veten si të pamposhtur.
Qëndruan dhe në një betejë treditore gjunjëzuan regjimin më të egër, më shtypës, më represiv të kohës.
Sot, pas 35 vitesh, ne nuk jemi më një diktaturë moniste.
Studentët e dhjetorit nuk kishin një forcë politike që t’u dilte zot.
E vërteta është se edhe qytetarët e trembur, dy ditët e para nuk u afruan me ta.
Por ata vazhduan dhe fituan.
Kurse sot, shqiptarët kanë një forcë politike dhe kjo është PD.
Parti e themeluar nga studentët e dhjetorit.
Parti e idealeve të dhjetorit.
Parti, e cila është e dyta dhe e vetme në gjithë hapësirën ish-komuniste që iu mbijetoi tallazeve dhe të gjitha përpjekjeve për ta zhdukur dhe mblidhet sot këtu e betuar si kurrë më parë për të rikthyer edhe njëherë në piedestal idealet e larta të lëvizjes së dhjetorit, lirinë e shqiptarëve, votën e lirë, dinjitetin e tyre, familjen shqiptare, interesin kombëtar të shqiptarëve.Ky mision ka të bëjë me shpëtimin apo shuarjen e kombit tonë.
Ky mision ka të bëjë me shpëtimin apo shkatërrimin e familjes tonë.
Ky mision ka të bëjë me zhvillimin apo rrënimin e Shqipërisë.
Ky mision ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve apo zhdukjen e tyre.
Midis të gjitha këtyre, çdo demokrat, çdo opozitar, çdo shqiptar zgjedh të ngrihet në lartësinë e idealeve të dhjetorit.
Koha nuk pret.
Çdo orë, çdo ditë që shkon jemi të vonuar.
Qytetare dhe qytetarë shqiptarë, ky shesh, kombi pret nga ne të mos e lëshojmë, ta zëmë njëherë e mirë, ta mbajmë gjer në fitore.
Edi Rama, armik i egër i lirive të shqiptarëve.
Edi Rama vjen në këtë dhjetor si hajduti më i madh i kombit në të gjitha kohërat.
Edi Rama vjen në këtë dhjetor si armik i egër i çështjes kombëtare dhe interesit të shqiptarëve.
Por mbi të gjitha vjen në këtë dhjetor si armiku më i egër i rinisë shqiptare, i të rinjve shqiptarë.
Përzuri në 10 vite, 70 përqind të të rinjve nga vendi.
Rrënoi shkollat.
Rrënoi të ardhmen e tyre.
Të rinjtë shqiptarë sot kanë si alternativë të vetme largimin, largimin dhe vetëm largimin nga Shqipëria.
Miq, të gjitha këto janë apel, janë kushtrim të përballemi me këtë të keqe të madhe.
Të përballemi me çdo çmim, të përballemi me çdo kusht, të përballemi për dinjitetin tonë, të përballemi për të ardhmen tonë, të përballemi për vendin tonë, për familjet tona, për fëmijët tanë, për fëmijët e fëmijëve tanë.
Ky është borxhi ynë, kjo është detyra jonë.
Ne do e përmbushim atë.
Edi Rama ka mbushur jo kupën, por çdo gjë.
Meriton çdo ndëshkim me këto që i ka bërë kombit.
Tani, pasi është kapur vjedhës i dhjetëra e dhjetëra milionave, përpiqet me çdo kusht të mbrojë vjedhjen e tij, vjedhjen e ministrave të tij.
Është koha jonë, është koha e guximtarëve, është koha me ideale, është koha e njerëzve që e duan Shqipërinë.
Ndaj dhe u ftoj të përgatitemi të nisim protestat e fuqishme, protestat me të cilat ne do iu rikthejmë shqiptarëve të ardhmen, Shqipërinë, nderin dhe dinjitetin që meritojnë.
Nderim përjetë Azem Hajdarit, tribunit të lirisë.
Nderim studentëve liberatorë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.






