
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në nisje të mbledhjes së kryesisë këtë pasdite, theksoi se për PD-në është “jetike një analizë e ndershme, e hapur dhe demokratike” pas zgjedhjeve të fundit. Berisha u shpreh se procesi i analizës është shtyrë qëllimisht deri në publikimin e raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR, në mënyrë që debati i brendshëm të mos përdorej nga pala kundërshtare.
“Ju garantoj se asgjë nuk e ndalon këtë proces, por për çdo opozitar duhet të jetë e qartë se Edi Rama është strumbullari, shtylla e të gjitha këtyre vjedhjeve. Po u korruptua kryeministri, vjedhja bëhet masive,” u shpreh Berisha, duke përmendur si shembuj aferat e Tunelit të Llogarasë dhe aeroportit të Vlorës.
Ai akuzoi kryeministrin Rama për presione ndaj përfaqësuesve të OSBE/ODIHR dhe theksoi se pavarësisht përpjekjeve, raporti përfundimtar mbeti i pandryshuar. “Ne kemi mbi 2000 fakte e prova të dhunimit të zgjedhjeve, të cilat ua kemi dërguar institucioneve. Rama dështoi të ndryshojë qoftë edhe një gërmë të raportit,” tha Berisha, duke shtuar se opozita do të vazhdojë të paraqesë prova për manipulimet zgjedhore.
Sipas tij, “narkoshteti nuk bie vetë, por përmbyset vetëm nga njerëzit e guximshëm dhe me shpresë,” ndërsa përsëriti thirrjen për një proces të brendshëm reflektimi që do t’i japë PD-së forcën për të përmbysur regjimin aktual.







