Partia Demokratike pritet të propozojë aktorin dhe gazetarin e njohur Florjan Binaj si kandidatin e saj për Bashkinë e Tiranës. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, e bëri publik këtë vendim gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot në selinë blu, duke e cilësuar Binajn si një personalitet me reputacion të gjerë dhe një figurë që përfaqëson denjësisht qytetarët e Tiranës.

“PD, duke falënderuar me mirënjohje secilin prej atyre që paraqitën kandidaturën e tyre për Tiranën, informon se grupi i mandatuar nga partia do t’u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit dhe luftëtarin e paepur të kauzave qytetare, zotin Florjan Binaj,” – deklaroi Berisha.

Sipas tij, kandidatura e Binajt është “një propozim që i bën nder qytetit dhe opozitës”.

“Ai ka qenë për vite ylli i spektaklit më të ndjekur në vend, një artist që e ka kthyer artin në një mision qytetar. Binaj dhe ekipi i ‘Piranjave’ janë në linjën e parë të luftës kundër korrupsionit,” – tha Berisha.

Kreu i opozitës u ndal edhe tek përplasjet që, sipas tij, ekipi i “Piranjave” ka pasur me pushtetin:

“Edi Rama i përzuri nga televizioni ku punonin, i tmerruar nga investigimet e tyre. Por ata nuk u ndalën dhe vijojnë punën tek Syri TV, duke i shërbyer interesit publik.”

Berisha theksoi se Florjan Binaj do të jetë një kandidat i pavarur, ndërsa PD dhe aleatët e saj do ta mbështesin pa ndërhyrë në vendimmarrjen e tij.

“Nëse kemi rënë dakord për një kandidat të pavarur, kjo nuk do të thotë se ne do t’i diktojmë atij. Do jetë ai që do gjejë ndihmën që kërkon nga forca jonë politike dhe nga të tjerët,” – sqaroi ai.

Berisha përgëzoi gjithashtu Avokatin Adriatik Lapaj për mbështetjen publike që ka shprehur ndaj kandidaturës së Binajt, duke e quajtur këtë “një sinjal bashkimi për opozitën”.

“Shpresoj që aleatët, opozitarët dhe qytetarët e Tiranës të bashkohemi rreth kësaj kandidature që përfaqëson kauzat e qytetarëve dhe vlerat më të mira të shoqërisë shqiptare,” – përfundoi Berisha.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu