
TIRANË, 4 Tetor – Në mbledhjen e fundit të kryesisë së Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha theksoi se PD do të marrë në konsideratë me seriozitet kandidatët e pavarur që kërkojnë mbështetjen e saj për të fituar në zgjedhje.
“Patëm një diskutim të gjatë, të përgjegjshëm dhe të lirë. PD, ndonëse ka kandidatura të kalibrit të lartë, do të vlerësojë dhe çmojë shumë kandidatët e pavarur. Do t’i konsiderojmë me seriozitet të madh ata që garojnë si të tillë dhe kërkojnë mbështetjen tonë. Ky është një moment i rëndësishëm për qytetarët, intelektualët dhe ekspertët që ndihen të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Edi Ramës dhe të marrin vendimin më të mirë për qytetarët,” tha Berisha.
Pas doli nga mbledhja Berisha shtoi se mbështetja e kandidatëve të pavarur i jep opozitës një dimension tjetër dhe se përvoja ndërkombëtare tregon se kandidatët e pavarur të mbështetur nga forcat politike shpesh arrijnë sukses të papritur.
“Vendimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për opozitën shqiptare. Ne qëndrojmë të hapur ndaj qytetarëve, personaliteteve, intelektualëve dhe ekspertëve që ndihen të gatshëm të marrin vendimin e duhur,” tha Berisha, duke theksuar se kjo qasje do të aplikohet jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por edhe në bashkitë e tjera të vendit.