
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama ndodhet, sipas tij, në “procesin e rrokullimës së madhe” dhe se asgjë nuk mund ta shpëtojë nga kjo situatë.
I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat dhe zhvillimet e fundit politike, Berisha u shpreh se preferon të mos i komentojë të gjitha çështjet publikisht, por theksoi se fundi politik i kryeministrit është i pashmangshëm.
“Preferoj të mos përgjigjem këtu, sepse i ndaj unë këto konferencat. Por asgjë nuk e shpëton atë nga rrokullima e madhe. Këtë mund t’ua them. Ai është në procesin e rrokullimës së madhe,” deklaroi Berisha.
Sipas kreut të opozitës, Rama po përpiqet të fshihet pas zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke shtuar se përgjegjësia penale, sipas tij, do të përfshijë drejtpërdrejt edhe kryeministrin.
“Edi Rama po fshihet pas Lubisë sepse e di që, në mënyrë absolute, fill mbrapa do të jetë krahas saj,” u shpreh Berisha, duke përdorur tone të ashpra dhe referenca simbolike për të ilustruar situatën.
Ai shtoi se dosja hetimore, sipas tij, përmban më shumë elementë rëndues për kryeministrin sesa për zëvendëskryeministren, duke e cilësuar këtë si arsye kryesore të qëndrimit të Ramës.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment tensioni të lartë politik, në kushtet kur opozita ka paralajmëruar përplasje të forta institucionale lidhur me hetimet e SPAK-ut ndaj figurave të larta të qeverisë.






