Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra pas përfundimit të protestës së opozitës, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka provokuar përplasje të qëllimshme mes protestuesve dhe policisë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se, sipas tij, policia ka ushtruar dhunë të pajustifikuar ndaj qytetarëve që protestonin në mënyrë paqësore, duke përdorur gaz lotsjellës, topa uji dhe mjete të tjera të forcës.

“Përkundrejt qëndrimit qytetar dhe guximtar të protestuesve, narkopolicia përdori agresivitet absolut. Edi Rama kërkonte përleshjen e demonstruesve me policinë. E garantoj se demonstruesit do të përleshen me Edi Ramën”, u shpreh Berisha.

Ai i bëri thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit që, sipas tij, të mos vihen në shërbim të urdhrave të paligjshëm dhe të mos përdoren kundër qytetarëve.

“Mos u bëni shërbëtorë të një njeriu që nuk ka ligj as moral. Mos ndërse policinë kundër protestuesve”, deklaroi kreu i PD-së.

Berisha kërkoi lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve, të cilët, sipas tij, janë ndaluar padrejtësisht dhe pa asnjë shkelje ligjore.

“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësorë, të marrë vetëm si akt urrejtjeje me urdhër të Edi Ramës. U bëj thirrje komisariateve të mos zbatojnë urdhra që bien ndesh me ligjin dhe Kushtetutën”, tha ai.

Në deklaratën e tij, Berisha paralajmëroi vijimin e protestave dhe e cilësoi betejën e opozitës si një përpjekje për rrëzimin e asaj që ai e quajti “regjim kriminal”.

“Ne këtë betejë do ta vazhdojmë. Kemi një mision të vetëm: përmbysjen e këtij regjimi kriminal. Asgjë nuk e shpëton më”, u shpreh Berisha.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu