Pas seancës plenare të shoqëruar me kaos dhe tensione, ku opozita bllokoi punimet duke detyruar mazhorancën të kalojë direkt në votim, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë deklarata të forta në dalje nga Kuvendi, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për pazare politike dhe shkelje të hapura të ligjit.

Berisha theksoi se beteja e opozitës nuk është për interesa personale apo politike, por për ligjin, Kushtetutën dhe shtetin ligjor. “Beteja jonë është për ligjin, Kushtetutën, shtetin ligjor. Motoja e tyre është ‘vidh dhe ik’”, deklaroi ai.

Kreu i PD-së hodhi akuza të rënda edhe ndaj personave pranë kryeministrit, duke përmendur emrin e Ergys Agasit, të cilin e cilësoi si “njeriun më intim të Edi Ramës”, duke shtuar se ai jeton i qetë dhe madje, sipas tij, me mbrojtje shtetërore, pavarësisht akuzave të rënda që ngriti.

Në vijim, Berisha u ndal te çështja e zv.kryeministres Belinda Balluku, duke akuzuar mazhorancën për fshehje dhe mungesë transparence. “Lubi Balluku nuk vjen në Parlament, ndonëse duhet të informojë shqiptarët. Një pazar i pistë është bërë”, u shpreh ai.

Sipas Berishës, pazari lidhet drejtpërdrejt me një vendim të marrë nga kryeministri Rama. “Siç e kemi paralajmëruar tre ditë më parë, Rama u përball me zgjedhjen më të vështirë të jetës së tij: midis Lindës dhe Belindës. Midis Lubisë dhe Belindës. Dhe mbrëmë ka vendosur të mbajë Lindën dhe të lëshojë Belindën”, deklaroi kreu i opozitës.

Ai shtoi se zhvillimet e tjera do të ndiqen në Parlament, por theksoi se një Parlament me ata që, sipas tij, zbatojnë moton “vidh dhe ik”, nuk mund të funksionojë. “Ligji dhe vetëm ligji duhet të mbizotërojë”, përfundoi Berisha.

Deklaratat vijnë në një klimë të përshkallëzuar politike, ku përplasja mes mazhorancës dhe opozitës po thellohet, ndërsa seancat parlamentare po shoqërohen gjithnjë e më shpesh me tensione dhe ndërprerje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu