
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur sot për mediat pas daljes nga SPAK, ku u paraqit për detyrimin periodik të nënshkruajë, në kuadër të hetimeve për çështjen “Partizani”.
Berisha akuzoi sistemin e drejtësisë për “konflikt të hapur interesi” dhe përmendi me emër motrën e ministres Belinda Balluku, avokaten Pamela Qirko , e cila sipas tij është pjesë e një “platforme mafioze” të ndërtuar nga ish-prokurori i përgjithshëm Arben Rakipi.
“Dy ditë më parë hyri me veston e avokates mbrojtëse Pamela Qirko Balluku, motra e Rahmetlie Ballukut. Tani, këtu ka një gjë të tmerrshme. Nuk them se pse është motër, nuk mund të jetë avokate, sepse ligji e lejon, por kjo është platforma e mafiozit më të shpifur dhe më të rrezikshëm në sistemin e drejtësisë, patroni i Altin Troplinit – Arben Rakipi,” – deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi Rakipin se ndodhet në konflikt interesi, pasi mban njëkohësisht funksione publike dhe private.
“Rakipi është drejtor i Shkollës së Magjistraturës, ndërkohë ka studion e avokatisë, dhe shkon tek nxënësit e tij që mbarojnë dhe u pret gjobat. Nuk ka akt më të shëmtuar se ky,” – u shpreh Berisha, duke shtuar se “kjo është dëshmi tjetër e drejtësisë në konflikt të plotë interesi.”
Berisha foli edhe për “rrjetin e avokatëve të lidhur me pushtetin”, duke përmendur emra të tjerë si Genta Bunga dhe duke i akuzuar për “takime me McGonigalin” dhe për përfshirje në çështje që, sipas tij, mbrojnë “kriminelët dhe të korruptuarit e pushtetit”.
Në përfundim të deklaratës, ish-kryeministri theksoi se “kjo është pasojë e Soros-reformës në drejtësi” dhe ironizoi:
“Nuk mbetet gjë tjetër, veçse Delina Fico të emërohet në Gjykatën Kushtetuese. Edhe ajo do të ndodhë.”







