
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë sot nga ambientet e SPAK, ku ka mbajtur një deklaratë të fortë për mediat, duke sulmuar drejtpërdrejt kreun e këtij institucioni, Altin Dumani, dhe hetimet ndaj tij.
Berisha bëri të ditur se i ka lënë një mesazh me shkrim kreut të SPAK, të cilin e lexoi publikisht para gazetarëve. Në mesazh, ai e cilëson Dumanin “armik të egër të pluralizmit politik dhe të votës së lirë të shqiptarëve”, ndërsa shton se “për veprat e tij të rënda penale, drejtësia një ditë do të thotë fjalën e saj”.
Në deklaratën e tij, Berisha u shpreh se çështja e hapur ndaj tij është “një histori mashtrimi dhe falsifikimi deri në qiell”, duke mohuar çdo akuzë për pasuri të paligjshme. Ai deklaroi se asnjë zyrtar shteti nuk mund të sigurojë disa apartamente vetëm me rrogën e shtetit, ndërsa hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Altin Dumanit për pasuri të pajustifikuara.
Berisha sqaroi se pasuria e tij, sipas verifikimeve, përbëhet nga një apartament rreth 40 metra katrorë më i madh se ai që kishte në periudhën e diktaturës dhe rreth 100 mijë euro kursime për 54 vite punë, së bashku me bashkëshorten. Ai i quajti “absurde” akuzat që lidhen me pushime të paguara nga vajza e tij apo pagesa mjekësore të mbuluara nga familjarët, duke theksuar se këto nuk mund të konsiderohen korrupsion.
Në vijim, Berisha hodhi poshtë pretendimet se ka favorizuar dhëndrin e tij me vendime shtetërore, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë vendim në këtë drejtim dhe se, sipas tij, ndryshimet e destinacionit të pronave janë bërë nga kryeministri Edi Rama.
Në një deklaratë tjetër, Berisha komentoi edhe zhvillimet në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke e akuzuar atë për “mizogeni të plotë”, pasi, sipas tij, nuk u dha asnjë votë për kandidaten e vetme grua që ishte kualifikuar në proces. Ai theksoi se zgjedhja e Klodian Brahos është bërë në përputhje me Kushtetutën, ndryshe nga drejtimi aktual i SPAK.
Në përfundim, Berisha u shpreh se beteja e tij është politike dhe se ai mbron vetëm pluralizmin politik, duke paralajmëruar se përballja me drejtësinë do të vijojë.






