Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është përgjigjur nëse do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, cilado qofshin ato. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” Berisha tha se ai do të pranojë çdo rezultat, por të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Do të pranoj vetëm rezultat të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kryetari i Komitetit të Republikanëve në SHBA i dha një paralajmërim Edi Ramës: Ti nuk bën zgjedhje, por ta dish mirë se kësaj here nuk ka biznes si zakonisht. Ia tha ai”, tha Berisha, duke paralajmëruar kështu se nuk do njohë rezultatin e zgjedhjeve, nëse nuk i fiton.

Berisha foli edhe për kandidatët që do t’u besohej drejtimi i PD, kur ai të largohet nga lidershipi duke mohuar mundësinë e zgjedhjes nga brenda familjes së tij. Ai tha se lideri i një partie politike ka mision të çojë partinë në fitore, jo të përpiqet të krijojë kopjen e tij.

“Lideri i një force politike ka detyrë dhe mision kryesor të çojë forcën politike në fitore dhe jo të krijojë pasardhësin e tij. Nuk ka për detyrë të krijojë kopjen e tij. Është e drejtë e anëtarëve të PD të zgjedhin atë që preferojnë. Unë do të respektoj vendimin e anëtarësisë së partisë.

Brenda familjes time nuk ka një kandidat. Këto lista treguan se vajza ime ndjek politikën nga jeta e saj private, nuk hyri në asnjë listë, as të mbyllur, as të hapur. As djali nuk hyri as në listë të mbyllur, as të hapur. As dhëndri, ndonëse në arrest të pamerituar, por nuk mori një mbrojtje në lista”, u shpreh Berisha.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu