Tiranë, 7 nëntor 2025 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se opozita do të zhvillojë një “platformë parlamentare” përpara ndërtesës së Këshillit të Ministrave, ku do të flasin deputetët dhe qytetarët, si reagim ndaj, sipas tij, “represionit parlamentar” të shumicës qeverisëse.

“Narkomazhoranca ka kaluar në ekstrem”

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi qeverinë se ka “asgjësuar parlamentarizmin”, duke mos lejuar opozitën të debatojë në seancat plenare.

> “Në parlament, nga nëntë seanca të zhvilluara, opozita është lejuar të flasë vetëm në një. Kjo do të thotë de facto asgjësim i parlamentit dhe i parlamentarizmit, shkelmim i Kushtetutës dhe mohimi i të drejtave të opozitës,” – tha ai.

 

Berisha shtoi se opozita do të zhvendosë debatin politik “para qytetarëve”, përmes një platforme publike që do të organizohet përpara Kryeministrisë.

Protesta kombëtare “së shpejti” – por pa bojkot të parlamentit

Berisha theksoi se ky veprim nuk do të përbëjë bojkot të parlamentit, por një strategji të dyfishtë:

> “Opozita do të zhvillojë betejën brenda dhe jashtë parlamentit. Kjo është opozita e votës së dhunuar, përballë një mazhorance të zgjedhjeve të vjedhura,” – deklaroi ai.

 

Sipas tij, protesta e parë kombëtare do të njoftohet së shpejti, si pjesë e një fushate kundër “regjimit që ka konfiskuar votën e lirë dhe përdor shtetin për të blerë zgjedhjet”.

Ligji për barazinë gjinore, Berisha: “I vuri kazmën familjes shqiptare”

Në një tjetër deklaratë, Berisha u ndal te miratimi i ligjit për barazinë gjinore, duke e cilësuar si “një sulm ndaj familjes shqiptare”.

> “Në të njëjtën ditë kur Gjykata Supreme e SHBA sanksionon dy gjini – mashkull dhe femër – në parlamentin e votës së vjedhur votohet ligji që zëvendëson gjininë me përkatësinë e shumëfishtë gjinore. Kjo është një pabesi që shkatërron shtyllën kryesore të ekzistencës së kombit,” – tha Berisha.

  • PD kërkon anulimin e ligjit dhe mundësinë e referendumit

Kreu i PD-së njoftoi se Partia Demokratike do të ndërmarrë hapa kushtetues për anulimin e ligjit për barazinë gjinore, duke përfshirë edhe mundësinë e një referendumi kombëtar.

“Ky ligj përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar, bie ndesh me Kushtetutën, Kodin e Familjes dhe Kodin Civil. PD do të bëjë çdo gjë për ta rrëzuar atë,” – u shpreh Berisha.

 

Sipas tij, kjo betejë “nuk është vetëm politike, por morale dhe qytetare”, e cila do të zhvillohet “në mbrojtje të familjes dhe vlerave themelore të kombit”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu