
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar intensifikimin e protestave kundër qeverisë, duke deklaruar se partnerët ndërkombëtarë në Strasburg po presin protestën e dytë të opozitës dhe se fjala e qytetarëve do të dëgjohet shumë shpejt.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se gjatë qëndrimit në Strasburg opozita zhvilloi takime të rëndësishme me drejtues të komisioneve dhe personalitete të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku sipas tij, ka gjetur “mirëkuptim të plotë”.
“Jehona e protestës ishte e fuqishme. Miqtë tanë presin protestën e dytë, me të njëjtin insistim si gjithë opozitarët shqiptarë”, u shpreh Berisha, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për bllokim të Parlamentit dhe pengim të shqyrtimit të dosjeve.
Ai e cilësoi veprimin e kryeministrit si “akt puçist”, duke thënë se Rama po mbron veten dhe po pengon drejtësinë. “Qytetarët do flasin shumë shpejt”, theksoi Berisha.
Në një dalje tjetër për shtyp, Berisha u ndal te çështja e Belinda Ballukut dhe proceset në Gjykatën Kushtetuese, duke akuzuar Ramën për zvarritje dhe presion mbi institucionet e drejtësisë.
“Sot kemi të bëjmë me poshtërimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila po tërhiqet zvarrë me urdhër të Edi Ramës. Ligji dhe Kushtetuta po trajtohen si letër e vdekur”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, protesta është e vetmja rrugë për qytetarët përballë asaj që ai e quan “bllokim total të drejtësisë”. “Është koha e qytetarëve tani. Ata do flasin me protesta”, tha kreu i PD-së, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike për zhvillimin e zgjedhjeve.
Berisha theksoi se situata aktuale është e paprecedentë në Shqipëri dhe se vetëm reagimi qytetar mund të zgjidhë krizën politike dhe institucionale.






