
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha rrëzoi sot mundësinë që opozita të bojkotojë parlamentin e ri që do të nisë punën në shtator.
Edhe pse vendimi final ende nuk është marrë, vetë Berisha sqaroi se beteja në çdo front përfshi sallën e parlamentit është opsioni që ka më shumë mbështetje.
“Nuk është opsion bojkoti i parlamentit. Çdo opsion është në tavolinë, por në tërësi beteja në çdo front është opsioni më i pëlqyer”, tha Berisha.
Kur flet për betejë në çdo front, Berisha ka parasysh betejën për zgjedhje të lira e të ndershme e cila sipas tij është i vetmi prioritet i PD.
“Lufta me të gjitha mjetet që shqiptarët të votojnë të lirë. Ka vetëm një objekt tani, shqiptarët duhet të votojnë të lirë. Nuk mund të jetë opozitë e vërtetë ajo e cila pajtohet me këtë situatë. Kurrë, kurrë!”, tha ai.
Aktualisht PD po punon për të evidentuar çdo parregullsi të procesit të 11 majit. Sot në selinë e PD janë mbledhur drejtuesit politikë të cilët janë udhëzuar që të verifikojnë pamjet e të gjitha qendrave të votimit për të kuptuar cfarë ka ndodhur ditën e zgjedhjeve.
Pak ditë më parë PD publikoi pamje të qendrave të votimit ne Elbasan ku dukeshin qytetarë të cilët plotësonin 2 apo edhe 4 fletë votimi./vizionplus.tv