
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar nisjen e protestave dhe revoltave popullore, duke theksuar se në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me Edi Ramën në krye të qeverisë.
Në një deklaratë për mediat pasi përfundoi mbledhja e kryesisë së PD, Berisha tha se më 11 maj 2025 u vendos të përdorte çdo hapësirë për t’i rikthyer shqiptarëve votën e lirë, duke nënvizuar se në skenën ndërkombëtare janë miratuar pesë rezoluta që e damkosin Ramën si “kryetar të një narkoshteti” dhe si “autor farsash elektorale”.
“Ne jemi të vendosur për bashkëpunim ndërkombëtar, por mbi të gjitha besojmë se vetëm qytetarët shqiptarë do të mund ta rikthejnë votën e lirë,” deklaroi Berisha.
Lidhur me debatin e brendshëm në PD, ai konfirmoi se partia do të zhvillojë një analizë gjithëpërfshirëse, duke ftuar të gjithë anëtarët dhe mbështetësit të japin mendimet e tyre. “Nuk ka një datë fikse, por analiza do të bëhet patjetër,” u shpreh ai.
Pyetur për sugjerimin e deputetit Ervin Salianji që hyrja e opozitës në Parlament të shoqërohet me protesta dhe revolta, Berisha tha se ishte plotësisht dakord: “Një propozim shumë i drejtë. Jam 100% dakord.”
Sipas tij, protestat do të nisin “në kohën më të shpejtë të duhur”, ndërsa PD do të vijojë të ketë të gjitha fuqitë për të marrë vendimet e nevojshme në përputhje me statutin e saj.
Në fund të deklaratës, Berisha përsëriti se nuk pranon të barazojë “viktimën me kriminelin” në procesin zgjedhor, duke akuzuar Ramën dhe strukturat shtetërore për manipulim të votës.