Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi përshkallëzim të aksionit opozitar gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, duke deklaruar se protesta mund të shkojë drejt ngujimit në bulevard deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se ka marrë qindra mesazhe nga qytetarë që kërkojnë të mos ketë tërheqje nga protesta pa u arritur ndryshimi politik. Sipas tij, ky është një drejtim “i pashmangshëm dhe i sigurt”, ndërsa bëri thirrje për diskutim të gjerë me mbështetësit dhe qytetarët opozitarë.

Ai akuzoi qeverinë për degradim dhe e cilësoi atë si një “organizatë kriminale”, duke përmendur edhe emra të lidhur, sipas tij, me afera dhe vendimmarrje të paligjshme. Berisha u shpreh se gjithçka tashmë është “në duart e qytetarëve”, duke veçuar të rinjtë, studentët dhe gjimnazistët si faktor kyç në mobilizimin opozitar.

Lideri demokrat deklaroi gjithashtu se protesta pritet me interes nga partnerët ndërkombëtarë. “E gjithë Europa dhe bota po pret protestën tonë”, tha ai, duke shtuar se reagimet kanë qenë me “simpatinë më të madhe dhe vlerësimin maksimal”.

Në përfundim, Berisha theksoi se opozita do të vijojë, sipas tij, “misionin e përmbysjes së narkodiktaturës dhe rikthimin e votës së lirë për shqiptarët”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu