Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim të ashpër politik në Foltore – Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve në Kurbin, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shndërruar Shqipërinë në një “diktaturë të korruptuar” dhe se me të “nuk mund të ketë zgjedhje të lira”.

Sipas Berishës, vendi ndodhet në një situatë dramatike politike, ekonomike dhe morale, ndërsa pushteti është përqendruar në një dorë të vetme. Ai e cilësoi Ramën si “armikun më të madh të shqiptarëve” dhe deklaroi se regjimi aktual do të rrëzohet, njësoj si diktatura e përmbysur 35 vite më parë.

Në fjalën e tij, Berisha denoncoi korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes, duke përmendur akuza për pasuri marramendëse të zyrtarëve të lartë, lidhje me krimin e organizuar dhe manipulim të zgjedhjeve përmes punësimeve, lejeve të ndërtimit dhe përdorimit të fondeve publike. Ai deklaroi se “me Edi Ramën vota e lirë është zhdukur” dhe se zgjedhjet janë grabitur në mënyrë sistematike.

Kreu i PD-së theksoi se, sipas tij, qeverisja aktuale ka shkaktuar shpopullim masiv, duke përmendur largimin e mbi një milion shqiptarëve në dekadën e fundit dhe rënien e ndjeshme të lindshmërisë. Ai paralajmëroi se, nëse kjo situatë vijon, Shqipëria rrezikon “shuarjen demografike”.

Në përfundim, Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar dhe guxim politik, duke deklaruar se opozita është më e fortë se kurrë dhe se “me çdo çmim” do të çlirojë shqiptarët nga ajo që e quajti “narkodiktaturë”, duke garantuar se pas rrëzimit të regjimit, vota, pasuritë publike dhe taksat do t’u kthehen qytetarëve.

Pjesë nga fjala e plotë:

Miq, thashë dhe njëherë, jemi më të fortë se kurrë, më të kthjellët se kurrë.
Tani jemi në të drejtën tonë, në të në ligjin kombëtar dhe ligjin ndërkombëtar të ngrihemi me të gjithë guximin tonë për të përmbysur këtë regjim.
Ne përmbysëm një diktaturë e cila ashtu siç ishte e dobët e me radhë, por të rinj zvarriste në Shkodër, kufoma të rinjsh zvarriste në Shkodër, në Korçë, në Gjirokastër, megjithatë nuk mbijetoi dot, por e përmbysëm.
Ne këtë duhet ta përmbysim me një betim solem. Me një betim solem, do të përmbushim misionin tonë. Në diktatura fitojnë ata të cilët nga mëngjesi deri në darkë i thonë vetes, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri.
Dhe ai mendon se mund të mbrojë Lubinë, se mund të bllokojë parlamentin. Absolutisht.
Jo Lubia, por edhe ai vetë do të marrë çdo ndëshkim që meriton për atë që u ka bërë shqiptarëve.
Mos harroni një gjë. Në vitin 2014, raporti i OSBE-së e akuzoi se ka 200 milionë euro të fshehura në bankat offshore. Nuk dha asnjë përgjigje, gëk mëk nuk bëri. Po, sepse çdo ndërtuesi për çdo pallat i merrte dy kate, ose i merrte një kat dhe ja kërkonte para dhe jo kate.
Po. Imagjinoni pra, në qoftë se në vitin 2014 kishte, me këtë llogarinë e Ballukut 1000 apartamente, sa ka marrë, sa ka fituar ai nga viti 2014-25 si kryeministër.
Imagjinoni ç’ka, ç’po bën në portin e Durrësit. Ç’po bën me portin e Durrësit. Po fiton miliarda. Vetëm toka publike e portit kushton rreth 3 miliardë euro.
Ndaj miq, jam këtu për t’u thënë, çdo demokrati e demokrate, çdo shqiptari dhe shqiptareje, është koha e guximit tonë. Përmbysja e diktaturës do guxim, por ne guximi s’na mungon. Edhe një herë, nga mëngjesi gjer në darkë, gjer sa ta qërojmë këtë regjim, ne do t’i përsërisim vetes, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri.
Pas kësaj, çdo shqiptar pavarësisht nga bindjet e tij do votojë i lirë.
Pas kësaj, pasuritë publike do të jenë pasuri të shqiptarëve.
Pas kësaj, taksat do përdoren për shqiptarët.
Ju lutem, ju lutem edhe një, edhe një moment. Në 12 vite, buxhetet, paratë pra që ka marrë nga ju, nga shqiptarët, taksa, buxheti janë 67 miliardë euro. Se ka dyfishuar taksat.
Në tetë vite kemi marrë nga qytetarët shqiptarë 28 miliardë euro.
Në 8 vite me 28 miliardë euro kemi dyfishuar rroga, kemi dyfishuar pensione, kemi ndërtuar 13 mijë kilometra rrugë nga Hani i Hotit në Gjirokastër e me radhë, 1000 e ca shkolla, kopshte, çerdhe.
Ku janë ndërtimet e 12 viteve, 67 miliardë eurove? Vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. 90% e parave janë vjedhur thotë Banka Botërore.
Ndaj dhe për ta mbyllur, ne e përmbysëm një diktaturë 35 vite më parë.
Ne me çdo çmim, me çdo çmim do të çlirojmë shqiptarët nga kjo narkodiktaturë. Dhe kjo është misioni, mision sa hyjnor, aq dhe tokësor, i çdo demokrati dhe demokrate, i çdo qytetari dhe qytetareje.
Faleminderit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu