Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër mbi zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se ai nuk ka asnjë sugjerim për Veliajn lidhur me bashkëpunimin me drejtësinë, por theksoi se është kundër “proceseve mafioze” dhe kërkon që gjithçka të zhvillohet sipas ligjit.

“Të siguroj se në mënyrë absolute nuk kam asnjë komunikim me të, se nuk kam asnjë sygjerim për të, të bëhet pentito apo të mos bëhet pentito, se jam i bindur se afera për të cilën është akuzuar, është thjeshtë ¼ apo 1/5 e atyre që duhej të akuzohej.
Por një gjë do e them këtu.
Si njeri që beson në mënyrën më të palëkundur në liritë dhe të drejtat e njeriut, unë qëndroj se cilido qoftë, çdo kundërshtar i imi apo kushto qoftë ai, meriton trajtimin ligjor në përputhje me kodet dhe kushtetutën e vendit. Çdo devijim nga ky, është një banditizëm i turpshëm.”

Duke e cilësuar si një “proces qeveri-bashki”, Berisha hodhi akuza ndaj qeverisë dhe drejtësisë, duke pretenduar se ka ndërhyrje politike dhe se qeveria e ka shndërruar çështjen në një lojë mafioze. Ai gjithashtu ngriti dyshime mbi mënyrën se si Veliaj ka ndryshuar qëndrim brenda një kohe të shkurtër, duke lënë të hapura pyetje mbi presionet apo ndikimet e mundshme.

“Unë nuk mund të pranoj kurrë skena si ato të Medelinit në Kolumbi të 1983. Çdo devijim nga procesi i rregullt ligjor është një banditizëm i turpshëm”, u shpreh Berisha.

Ai i bëri thirrje Avokatit të Popullit të nisë një hetim të plotë mbi çështjen, ndërsa akuzoi qeverinë se po përdor taktika mafioze për të mbajtur nën kontroll situatën në Bashkinë e Tiranës. Berisha e cilësoi emërimin e Anduela Ristanit në krye të bashkisë si antikushtetues dhe një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Edi Ramës në institucionet e pavarura.

“Çfarë ndodh, si mundet që një i burgosur të nxjerrë shkresa me firmë dhe vulë? Si mund të shkarkohet Veliaj dhe më pas të tërhiqet vendimi? Këto janë zhvillime të denja për serialin Narcos,” tha Berisha.

Në fund, ai bëri thirrje edhe OSBE-së të mbikëqyrë këto zhvillime, duke paralajmëruar se në Shqipëri po vendoset një precedent i rrezikshëm në lidhje me ndërhyrjet në pushtetin vendor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu