Nga Valencia e Spanjës, ku po merr pjesë në Samitin e Partisë Popullore Europiane, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita shqiptare është tashmë në ofensivë të plotë, duke përfaqësuar me forcë zërin e qytetarëve në arenën ndërkombëtare.

“Koha e Edi Ramës ka përfunduar. Opozita është në sulm total, frontal, dhe zëri i saj ushton fuqishëm në të gjitha kancelaritë e mëdha të Europës dhe Shteteve të Bashkuara,” deklaroi Berisha në një intervistë për SYRI TV.

Ai theksoi rëndësinë e fjalimit të mbajtur para mbi 2000 delegatësh në samitin e PPE-së, duke e cilësuar si një akt të rëndësishëm sensibilizimi për situatën në Shqipëri.

“Argumentet që unë paraqita për narkoshtetin që ka ndërtuar Edi Rama u pritën me ovacione dhe interes të madh. Me dhjetëra personalitete më përgëzuan, duke shprehur mbështetje të plotë për opozitën shqiptare,” tha Berisha.

Ai nënvizoi se Partia Demokratike ka siguruar tashmë një nivel të ri mbështetjeje ndërkombëtare, duke u kthyer në një zë të besueshëm për përfaqësimin e kauzave të qytetarëve.

“Dhashë garanci se opozita pas 11 majit do të jetë lokomotivë kryesore e integrimit në BE. Synojmë të zëvendësojmë narkoshtetin me shtetin e së drejtës dhe ekonominë e drogës me një ekonomi të tregut funksionale,” theksoi Berisha.

Në fjalën e tij, Berisha zbuloi se është zhvilluar një komunikim i drejtpërdrejtë me liderë të rëndësishëm europianë, përfshirë edhe një takim të shkurtër me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

I pyetur për marrëdhëniet me ndërkombëtarët, ai u shpreh se opozita tashmë nuk keqinformohet më nga qeveria:

“Ajo kohë ka përfunduar. Sot opozita ka përkrahës të fuqishëm edhe në SHBA. Kemi mbështetjen e avokatëve më të fortë të kauzave tona.”

Berisha u ndal edhe te kthimi i PD-së në gjirin e PPE-së, duke e quajtur këtë një rikthim përfundimtar dhe një hap vendimtar në ringritjen e forcës politike që “rrëzoi diktaturën staliniste dhe do rrëzojë edhe narkodiktaturën moderne”.

“Në Spanjë në 2015 mora pjesë në kongresin e fundit të PPE-së. Sot, pas gjithë këtyre viteve, rikthehem me një mision të ri – për t’i dhënë Shqipërisë një të ardhme europiane dhe për të rikthyer demokracinë funksionale,” përmbylli ai.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu