
Nga Strasburgu, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se ka bllokuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Duke folur nga salla e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Berisha e cilësoi këtë veprim si një akt puçist dhe antikushtetues, duke theksuar se ndërhyrja ndaj drejtësisë synon mbrojtjen e aferave korruptive në nivelet më të larta të pushtetit.
“Këtu, nga salla e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, dënoj me forcën më të madhe aktin puçist, antikushtetues të Ramaduros dhe veglave të tij, të cilët bllokuan kërkesën e Prokurorisë Speciale për arrestimin e kryehajdutes së vendit,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, ky vendim fakton para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se Edi Rama është “padrinoja e narkoshtetit dhe e sistemit kleptokratik” në Shqipëri. Berisha theksoi se bllokimi i SPAK-ut është një mesazh i qartë për qytetarët se korrupsioni po mbrohet nga vetë pushteti politik.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së bëri thirrje për reagim qytetar, duke e cilësuar këtë zhvillim si një kushtrim për revoltë dhe zemërim popullor, me synim largimin e asaj që ai e quajti “organizatë kriminale në pushtet”.
Berisha shtoi se, sipas tij, shqiptarët nuk janë vetëm në këtë betejë, pasi kanë mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare dhe qytetarëve të lirë në Europë dhe më gjerë.






