Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në “Foltoren” para Kryeministrisë, ka uruar 35-vjetorin e themelimit të gazetës Rilindja Demokratike, duke e cilësuar atë si simbol të fjalës së lirë, pluralizmit dhe rezistencës ndaj censurës. Berisha garantoi gazetarët se programi politik i PD-së vendos në themel lirinë e shprehjes, mbrojtjen e profesionit dhe dinjitetin e medias së pavarur.

Duke iu referuar zhvillimeve ndërkombëtare, Berisha u ndal te dalja para gjyqit e Nicolás Maduro, të cilën e cilësoi si një moment historik në betejën globale kundër diktaturave moderne. Sipas tij, viti 2026 i ngjan periudhës së rrëzimit zinxhir të diktaturave komuniste, ndërsa rreziku kryesor për demokracinë sot janë narko-diktaturat dhe autokracitë elektorale që shkatërrojnë sovranitetin përmes farsave zgjedhore.

Kryedemokrati e krahasoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama me Maduron, duke e quajtur “Ramaduro”. Berisha deklaroi se Rama, njësoj si Maduro, ka shndërruar zgjedhjet në farsë, është i lidhur me kartele droge dhe ka detyruar largimin masiv të shqiptarëve nga vendi. “Nëse Maduro përzuri 20% të popullit të tij, Ramaduro ka përzënë 40% të shqiptarëve”, u shpreh ai, duke shtuar se Rama është “më keq se Maduro”.

Në një tjetër deklaratë të fortë politike, Berisha tha se opozita nuk pret ndërhyrje të forcave të huaja, por se “Deltat e qytetarëve” do të veprojnë kur të vijë momenti. Ai paralajmëroi se Rama dhe bashkëpunëtorët e tij do të përfundojnë para drejtësisë, njësoj si Maduro.

Në mbyllje të fjalës, Berisha e cilësoi vitin 2026 si vitin e fitores së opozitës dhe të përmbysjes së asaj që ai e quajti “narko-diktaturë”, duke u zotuar se beteja politike do të ndalet vetëm me fitoren e plotë të opozitës dhe rikthimin e Shqipërisë në rrugën e lirisë dhe dinjitetit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu