ELBASAN – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një ndalesë në Elbasan, gjatë rrugës për në “Foltoren” e Korçës, ku u takua me strukturat dhe mbështetësit e Partia Demokratike në kuadër të festave të fundvitit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha vlerësoi qëndresën e demokratëve përgjatë 12 viteve të fundit, duke theksuar se përpjekjet për të zhdukur opozitën kanë dështuar. Sipas tij, projekti “Shqipëria pa opozitë” u rrëzua falë sakrificës së qytetarëve dhe mbrojtjes së vlerave themelore demokratike, votës së lirë dhe dinjitetit njerëzor.

Kreu i PD akuzoi qeverinë Rama për kapje të institucioneve, korrupsion masiv dhe lidhje me krimin e organizuar, duke deklaruar se opozita ka faktuar brenda dhe jashtë vendit se zgjedhjet në Shqipëri janë farsë dhe nuk pasqyrojnë vullnetin e lirë të qytetarëve. Ai theksoi se opozita nuk do të njohë asnjë pushtet të dalë nga manipulimi i votës.

Berisha paralajmëroi intensifikim të aksionit politik, duke vënë theksin te protestat e vazhdueshme qytetare si mjet demokratik për rrëzimin e autoritarizmit dhe rikthimin e shtetit ligjor. “Qëndresa paqësore është arma jonë më e fortë dhe asgjë nuk i reziston dot vullnetit të qytetarëve,” u shpreh ai.

Në përmbyllje, Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të vijojë betejën politike deri në rikthimin e demokracisë në vend, duke theksuar se protestat do të jenë të pandalshme dhe se “projekti për të zhdukur opozitën ka dështuar përfundimisht”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu