
Duke prezantuar kandidatet dhe programin e PD-ASHM në Elbasan Sali Berisha tha se do ringrejë arsimin! Rrogat e mësuesve në krye të mandatit do të jenë 1500 euro
“Miqtë e mi, fati i Elbasanit do jetë madhështia e tij.
Fati i Elbasanit do jetë Elbasani madhështor.
Elbasani madhështor fillon me virtytin më të arrirë të shpirtit të mirë shqiptar.
Nuk mund të pranojmë ne këtë hendek të tmerrshëm që është krijuar në shoqërinë tonë.
Nuk mund të pranojmë ne, që ata të cilët sollën mbi supet e tyre Shqipërinë, shkrinë djersët, shkrinë vitet, shkrinë jetën, të trajtohen tani më keq se një qen shtëpie në Gjermani. Të marrë një pension më të ulët se sa paguan ai vend për kafshët shtëpiake.
Merr fund kjo. Nuk është ky shpirti i Elbasanit, përkundrazi virtyti më kryesor i yni ka qenë bamirësia dhe shteti që nuk frymëzohet nga ky virtyt, nuk e meriton të ekzistojë.
Ndaj dhe ne do e nisim hapin e parë drejt Elbasanit madhështor dhe Shqipërisë madhështore duke vendosur minimumin jetik 200 euro për çdo pensionist, për çdo student, për çdo shtëpiak, për çdo qytetar që firmos në borderotë e shtetit shqiptar.
Nga kjo përfitojnë mbi 560 mijë pensionistë, përfitojnë të gjithë studentët që meritojnë bursën, përfitojnë të gjithë ata që janë në ndihmë ekonomike.
200 euro nuk janë shumë, por ka një kriter, me 6.3 euro në ditë, përjashtohet varfëria ekstreme. Çdo vend i lirë nuk pranon varfërinë ekstreme dhe ne, 100 ditët e para të qeverisjes sonë, do e zhdukim nga Shqipëria.
Do e zhdukim nga Shqipëria dhe ndaj tyre, ndaj kësaj shtrese, të cilët marrin sot 40-50 herë më pak se rrogëtari më i lartë.
Absurde, nuk ka në botë një gjë të tillë.
Ndaj kësaj shtrese ne do përdorim kartën e konsumatorit. Ata do i blejnë ushqimet, duke marrë mbrapsht TVSH-në. Ajo në një vit është 450 euro minimumi.
Rrogat minimale do të rriten në 500 euro. Sipërmarrësve u kërkoj mirëkuptimin. Unë e kuptoj që kjo është ngarkesë, por u jap fjalën e nderit që do ulim taksat në atë shkallë, sa atyre do u mbeten para më shumë në llogaritë e tyre se më parë.
Miqtë e mi, vendi, shoqëria, kombi nuk mund të jetë kurrë madhështor në qoftë se nuk u jep ndihmën e duhur atyre që jetojnë në kushte më të vështira. Në qoftë se thellon hendekun mes të pasurve dhe të varfërve siç ndodh sot. Ndaj dhe kjo merr fund.
Por unë jam këtu në qytetin djep i arsimit të Shqipërisë.
Rikujtoj sot një ditë në jetën time të veçantë, në vitin 2005, unë u kam premtuar në këtë qytet mësuesve të Shqipërisë dyfishimin e rrogave. Jam sot këtu po në Elbasan për t’u premtuar mësuesve të Shqipërisë se në krye të një mandati, rrogat e tyre do jenë 1500 euro.
Jam sot këtu për t’u premtuar nga ky qytet, djep i arsimit, mësuesve shqiptarë, se ata nuk do largohen për mungesë orësh nga sistemi arsimor. Jo, klasat do zbresin në 20-25 nxënës dhe ata do mbajnë vendin e punës.
Jam këtu për t’u premtuar mësuesve të Shqipërisë se tabelat dixhitale do vendosen në shkollat e vendit. Dixhitalizimi i thellë i sistemit arsimor.
Jam këtu për t’u premtuar se shkolla e partisë për drejtorë dhe portali i partisë për mësuesit, marrin fund me datën 12 maj.
U përdorën si kurthe për të krijuar patronazhistë dhe militantë në arsim. Jo, mësuesit tanë do të respektohen në të gjithë dinjitetin e tyre dhe unë u them një gjë, atyre dhe shqiptarëve, po nuk vendosim mësuesin në piedestal, shkolla jonë nuk do ngrejë kokë kurrë.
Patëm disa rezultate në këto përpjekje të para që bëmë para disa vitesh. Arritëm një ngjitje vertikale në testin e PISA-s. Por çfarë ndodhi mbrapa? Çfarë ndodhi pasi u vendos portali i partisë? Çfarë ndodhi pasi u mbushën shkollat me patronazhistë?
Rënie në pikiatë e cilësisë së arsimit. Të fundit në botë nxënësit shqiptarë për mendimin kreativ.
Por ka një ligj, sado poshtë që të biesh, kurrë nuk duhet të ngurrosh të ngrihesh përsëri. Dhe ne do ngrihemi përsëri. Ne do rikthejmë arsimin aty ky ishte.”