
Në një takim me përfaqësues të industrisë fason, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha premtoi masa të forta për mbështetjen e biznesit dhe për ringjalljen ekonomike të vendit.
“Vetëm përgëzime dhe siguri se ne do bëjmë një revolucion fiskal. Do të transformojmë klimën për biznesin,” deklaroi Berisha, duke theksuar se opozita vjen këtë herë me eksperiencë dhe me synimin për të vendosur “standardet më optimale, më miqësore për biznesin”.
Berisha premtoi kompensim të plotë për efektet negative të rënies së euros mbi eksportuesit. “Për të gjithë eksportet, ne garantojmë së pari një bord që do kompensojë qindarkë për qindarkë rënien e euros,” tha ai.
Gjithashtu, ai njoftoi se do të ulet ndjeshëm edhe çmimi i energjisë për bizneset: “Ne do ulim çmimin e energjisë nga 18 do të jetë 6 lekë. Do ta kemi më të ulëtin dhe kjo përbën një leverdi të mirë për biznesin.”
Duke analizuar situatën aktuale, Berisha ngriti shqetësimin për emigracionin masiv dhe efektet dramatike në tregun e punës dhe demografinë. “Kanë ikur mbi 600 mijë të rinj në 10 vite. Javën e kaluar, sipas OKB-së, ne ishim vendi me lindshmërinë më të ulët në botë,” theksoi ai, duke bërë thirrje për politika të fuqishme demografike dhe mbështetje të familjeve të reja.
Në fjalën e tij, Berisha denoncoi gjithashtu bashkëpunimin e qeverisë me trafikantët dhe betonin, duke akuzuar se për këtë arsye prodhimi industrial dhe eksportet kanë rënë ndjeshëm. “Nga viti 2023 deri në vitin 2024, eksportet kanë rënë me 32 përqind. Është krijuar një rreth vicioz, por ne do ta presim këtë rreth.”
Ai përfundoi me një premtim të qartë: “Motoja jonë do jetë prodhim, prodhim, prodhim. Prodhimi është punësim, prodhimi është të ardhura, prodhimi është zhvillim dhe ne do bëjmë gjithçka për prodhimin.”