Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka propozuar rikthimin e komunave në zonat malore dhe kodrinore, si një mënyrë për t’u ofruar shërbime më pranë banorëve dhe për të frenuar braktisjen e këtyre territoreve.

Gjatë një tryeze me ekspertët për reformën territoriale, Berisha theksoi se duhet të aplikohen standarde të ndryshme në varësi të relievit të vendit, duke sugjeruar që komunat të rikthehen në zonat ku jetojnë të paktën 1300 deri në 1500 banorë.

Sipas tij, reforma territoriale duhet t’i përgjigjet dy objektivave kryesore: përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe përshtatjes me kriteret e Bashkimit Europian, duke iu referuar modelit të “Europës së rajoneve”.

Berisha kritikoi mënyrën se si është zbatuar reforma aktuale, duke theksuar se relievi i Shqipërisë është neglizhuar dhe se kjo ka çuar në izolimin dhe zbrazjen e zonave malore. Ai solli si shembull Francën, e cila sipas tij ka dhjetëra mijëra komuna, përfshirë edhe në zona me popullsi të vogël.

Sipas kreut të opozitës, rikthimi i komunave është një ndër masat e fundit për të mos i lënë këto zona të degradojnë dhe për t’i kthyer ato në potencial zhvillimi, veçanërisht në turizëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu