
TROPOJË, 4 MAJ — Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti sot një fjalim të zjarrtë para mbështetësve të tij në Tropojë, ku sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama dhe rikujtoi shpalljen e tij “non grata” nga SHBA. Berisha deklaroi se personi që firmosi vendimin për ta shpallur atë të padëshiruar, tashmë ka përfunduar “në koshin e plehrave” në SHBA dhe se Rama, sipas tij, do të ketë një fund edhe më të keq.
“Në vitin 2013, shkollat shqiptare kishin 26,500 kompjutera dhe internet nga sateliti. Rilindja i vodhi, i zhveshi shkollat, madje sot i ka lënë edhe pa nxënës,” tha Berisha, duke ironizuar deklaratat e Ramës se vendi kishte mbetur pa shkumës para ardhjes së PS në pushtet.
Berisha u betua para mbështetësve se Rama nuk do të mund të dalë jashtë kufijve të Shqipërisë pa dhënë llogari për të gjitha të këqijat që, sipas tij, i ka bërë shqiptarëve. Ai e quajti Ramën një “armik të votës së lirë, pluralizmit, opozitarizmit, bashkëpunëtor me krimin dhe narkodiktator”.
Duke iu referuar qëndrimeve ndërkombëtare, Berisha tha se Rama është i damkosur si pas Putinit në Kongresin e forcave të djathta europiane dhe se nuk ka më mbështetjen e Xhorxh Sorosit, pasi “Trump ia shtypi kokën Sorosit në Uashington”.
“Tropoja madhështore, Shqipëria madhështore është zotimi ynë solemn. Rroftë Tropoja, rroftë Shqipëria! Fitore, fitore, fitore!” përfundoi Berisha mes thirrjeve të mbështetësve.