Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë pasdite në Mirditë një takim me demokratët e zonës, ku ritheksoi se PD mbetet një parti e hapur, e fjalës së lirë dhe e mendimit kritik brenda forumeve të saj. Në fjalën e mbajtur gjatë foltores, Berisha u ndal te situata politike, kriza demografike dhe nevoja për reforma të brendshme në parti.

“Ne jemi dhe do mbetemi parti e hapur”

Berisha theksoi se Partia Demokratike do të garantojë lirinë e fjalës dhe të debatit të brendshëm:

“Ne jemi dhe do mbetemi parti e hapur, ku çdo njeri do ketë të drejtë të kritikojë, ta thotë fjalën pa asnjë ndrojtje, por brenda forumeve. Çdo demokrat do ketë të drejtën të votojë i lirë, të votojë kundër sipas vullnetit të tij.”

Ai shtoi se PD ka nevojë të bëjë proceset e saj të brendshme edhe më të forta:
“Duhet të mendojmë si ta përsosim procesin që zbatuam. Si t’i bëjmë listat më të besueshme? Listat janë tuajat, nuk janë të Tiranës.”

Kritika për qeverinë dhe situatën demografike

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë se po çon vendin drejt shpopullimit:

“Ne po shkojmë drejt shuarjes si komb në qoftë se nuk marrim masa urgjente. Parlamenti po miraton buxhetin, por nuk ka asnjë fjalë për shpopullimin.”

Sipas tij, duhet një politikë urgjente kombëtare:
“Duhet të vendosim sa më shpejt politikën e antishpopullimit, që të paktën pas 25 vitesh të kemi rezultate.”

“Narkoshteti po na shkatërron”

I ndalur te akuzat ndaj qeverisë, Berisha deklaroi se bandat dhe krimi i organizuar po dëmtojnë demokracinë:

“Flisja për narkoshtetin se narkoshteti po na shkatërron. Po i largon shqiptarët, po i varfëron, po i mjeron. Tre ditë më parë, telegrami nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit ishte: të luftojmë kartelët e drogës dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kush nuk e di se Edi Rama është bashkëpunëtor i tyre?”

Ai shtoi se rotacioni në vende të tjera ndodh sepse nuk pengohet nga krimi dhe dhuna:
“Rumunët ngrihen sepse bëjnë zgjedhje të lira. Nuk i shtyp një regjim. Nuk u ushtrohet terror.”

PD duhet të vazhdojë “betejën për shpëtimin e demokracisë”

Berisha tha se pas betejës për mbijetesën e PD-së, tashmë koha kërkon një sfidë edhe më të madhe:

“Partia Demokratike zhvilloi me sukses betejën për ekzistencën e saj. Tani duhet të zhvillojë betejën për shpëtimin e demokracisë, shpëtimin e familjes dhe shpëtimin e Shqipërisë.”

Ai theksoi se vetëm angazhimi i çdo anëtari mund të rikthejë PD-në në misionin e saj historik:
“Partinë Demokratike mund ta forcojmë vetëm me propozimet dhe kritikat tuaja. Është e vetmja forcë politike në Europë që përmbysi dy diktatura.”

Thirrja për angazhim dhe rinovim

Në fund, Berisha i ftoi demokratët të afrojmë figura të reja:

“Secili prej nesh duhet të afrojë një vajzë, një djalë, një grua me vlera. Jemi në një betejë të jashtëzakonshme për të ardhmen e vendit.”

Ai përmbylli takimin duke garantuar se PD do mbetet forcë e lirive dhe vlerave demokratike:

“Ju garantoj se fjala e lirë, mendimi i lirë dhe interesi kombëtar do mbeten vlerat më të çmuara të kësaj partie.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu