Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së kryesisë së PD që po zhvillohet aktualisht, ka theksuar se opozita duhet të marrë pjesë në çdo betejë politike dhe të mos zgjedhë bojkotin si mjet reagimi ndaj shkeljeve të qeverisë.

Në fjalën e tij, Berisha tha se vendimmarrja e kryesisë së PD për garën elektorale në kryeqytet vjen në një moment të rëndësishëm, ndërsa vendi përballet me “shkelje flagrante të Kushtetutës nga Edi Rama dhe njerëzit e lidhur me krimin dhe korrupsionin”.

“Në një regjim autoritar, Kushtetuta është një letër e vdekur. Ligji është pa vlerë. Të kërkosh kushtetutshmëri në një narkodiktaturë është si të kërkosh oazë në shkretëtirë,” deklaroi Berisha.

Ai theksoi se opozita, në një sistem autoritar, nuk duhet të mashtrojë veten se mund të përmbysë regjimin me votë të lirë, por duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë politike për t’i bërë ballë pushtetit.

“Bojkoti, që shpesh vjen si reagimi i parë ndaj padrejtësisë, është provuar me efekt destruktiv për opozitat. Është fatal për ekzistencën e tyre,” u shpreh Berisha.

Si shembull, ai përmendi situatën në Gjeorgji, ku opozita kishte bojkotuar parlamentin dhe kishte mbetur pa zë në asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës, duke humbur një front të rëndësishëm përballjeje politike.

“Në pamje të parë mendon se po ndëshkon regjimin, por në fakt vetëm i bën qejfin narkodiktatorit,” shtoi ai, duke iu referuar kryeministrit Rama.

Berisha kritikoi edhe mënyrën se si u miratua programi qeveritar në parlament, duke e cilësuar një “akt të paprecedent”, ku “në vetëm 28 minuta u kaluan parlamenti, qeveria dhe programi”.

Mbledhja e kryesisë së PD po zhvillohet për të përcaktuar qëndrimin e partisë lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme për kryetar Bashkie në Tiranë, të dekretuara për në 9 nëntor 2025.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu