Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet në Kuvend, duke akuzuar mazhorancën se po ndryshon ligje për të mbrojtur, sipas tij, “një hajdut të damkosur para mbarë shqiptarëve”.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se sot “mbarë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar presin nga ky parlament heqjen me urgjencë të imunitetit të Edi Ramës”, duke shtuar se në dokumente, sipas tij, çështja lidhet me Belinda Ballukun.

Ai akuzoi shumicën se ka marrë “një mision të pamundur” dhe se është e gatshme të ndryshojë ligje për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama. “Ai po ju përdor jo si zare, por si kukulla të vërteta”, u shpreh Berisha nga foltorja.

Berisha u ndal edhe te qëndrimi i deputetëve socialistë në takime ndërkombëtare, duke pretenduar se ata “e kyçin gojën para të huajve” dhe nuk mbrojnë publikisht ministren, ndërsa në sallën e Kuvendit, sipas tij, nxisin veprime që ai i cilësoi si “krim në vazhdim”.

“Para të huajve nuk thonë asnjë fjalë. Përkundrazi, u pëshpëritin në vesh se do ia heqin imunitetin”, deklaroi lideri i opozitës, duke theksuar se disponon regjistrime për këto pretendime.

Fjala e Berishës erdhi në një seancë të tensionuar parlamentare, ku mazhoranca dhe opozita u përplasën për çështje që lidhen me drejtësinë dhe procedurat për autorizime dhe masa sigurie.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu