
Sali Berisha, në një takim të mbajtur sonte në Laç me qytetarët e Kurbinit, shigjetoi drejtpërdrejt kryetaren aktuale të bashkisë, Majlinda Cara, duke e akuzuar për abuzime me taksat dhe mashtrime me listat e pagave.
“Ajo që do shkarkohet menjëherë është Majlinda. Bëhu gati! Do duhet të punojë ose të ketë vite burgu, të paktën 30 vjet, për rrogat që paguan për ata që janë në Spanjë, që janë në Dubai, dhe që i merr paratë e i ndan me të tjerët. Bashkë me Sakon e Durrësit dhe të tjerë, do shkoni tek Erion Veliaj, atje e keni vendin,” deklaroi Berisha mes duartrokitjeve të mbështetësve.
Berisha foli me tone të ashpra edhe për qeverinë Rama, duke e akuzuar për dështim në përballimin e pasojave të tërmeteve të vitit 2019 dhe braktisjen e qytetarëve që ende jetojnë në çadra.
“Në vitin e parë do përmbyllen të gjitha plagët e tërmetit, pa përjashtim. Qytetarët e Kurbinit do marrin sërish të gjitha shërbimet dhe institucionet që u hoqi reforma famëzezë e Ramës,” premtoi Berisha.
Ai shtoi se programi i tij synon rritjen e mirëqenies së qytetarëve, jo pushtetin personal:
“100 ditët e para do vendosim pension minimal 200 euro, minimum jetik 200 euro, rrogë minimale 500 euro, dhe rrogë mesatare 1250 euro. Nuk ka më shqiptar që do qajë për ilaçet dhe qiranë,” tha Berisha, duke u zotuar se qeverisja e tij do të rikthejë barazinë dhe dinjitetin për qytetarët.
Në fund, ai u bëri thirrje të gjithë mbështetësve që të shfrytëzojnë çdo orë të mbetur të fushatës:
“Këto 9 ditë ta bëjmë natën ditë, të takojmë çdo mik, çdo të njohur, që më 11 maj të bashkohemi në votën e fitores!”