
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së PD, deklaroi se Shqipëria ndodhet nën një “diktaturë autokratike” të kryeministrit Edi Rama dhe se opozita nuk ka bërë mjaftueshëm për ta qartësuar këtë realitet tek anëtarësia dhe opinioni publik.
“Ne mblidhemi sot për një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm, qëndrimin tonë ndaj farsës elektorale të 11 majit 2025. PD u angazhua seriozisht në arenën ndërkombëtare për të denoncuar diktaturën autokratike të Ramës në çdo organizatë ku jemi të anëtarësuar. Por, për fat të keq, ende nuk është e qartë se Shqipëria sot po përjeton një diktaturë autokratike,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se problemi qëndron edhe brenda anëtarësisë së PD-së, duke nënvizuar se “mungesa e qartësimit të këtyre koncepteve politike” ka ardhur si pasojë e punës së pamjaftueshme të vetë opozitës.
Berisha shpjegoi dallimin mes diktaturës totalitare dhe asaj autokratike, duke theksuar se kjo e fundit nuk e eliminon pluralizmin, por e shtyp atë duke përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë.
Sipas tij, Shqipëria sot është shembulli më i qartë i kësaj: “Nga 220 mijë rrogëtarë të shtetit, vetëm 2 mijë nuk janë emëruar nga partia-shtet. 218 mijë janë produkt i partisë së krimit. Nuk ka përqendrim më të lartë pushteti në një diktaturë autokratike se sa ky.