
Në konferencën “The Western Balkans Paradigm”, të organizuar me pjesëmarrjen e Partisë Popullore Europiane (PPE), ku ishte i pranishëm edhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i PPE-së, z. Patrick Voller, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ngriti alarmin për situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri.
Duke falënderuar të pranishmit, Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet e angazhuar në vlerat që ndan me familjen e saj politike në Europë, por paralajmëroi se përparësia që i është dhënë stabilitetit në rajon përkundër standardeve demokratike, po shkatërron themelet e vetë Bashkimit Europian.
“Nëse i jepet përparësi stabilokracisë përballë standardeve, kjo i hap rrugën autokracisë. Është një gabim historik që BE nuk duhet ta bëjë,” – deklaroi Berisha.
Ai theksoi se Shqipëria është shembulli më i qartë i këtij modeli, ku sipas tij, është zëvendësuar shteti demokratik me një regjim autokratik:
“Shqipëria është kthyer në narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Europë. U dhanë negociatat pa plotësuar asnjë kriter përveç gjeopolitikës, ndërsa të gjitha pushtetet janë përqendruar në një dorë.”
Berisha akuzoi kryeministrin Rama për kapjen e shtetit, duke përmendur edhe funksionet e shumta të përqendruara në zyrën e tij:
“Kryeministri është bërë kryetar i Komitetit të Ujërave, i Këshillit të Shkencës dhe firmos çdo ndërtim, edhe ato njëkatëshe. Ky është abuzim me çdo normë të autonomisë lokale.”
Duke u ndalur te ekonomia, Berisha deklaroi se vendi nuk zhvillohet më nga prodhimi apo eksportet, por nga ndërtimet e financuara – sipas tij – nga para të pista:
“Produktet agroindustriale dhe eksportet janë në rënie. Ndërkohë ndërtimi rritet me ritme alarmante. Kemi indeksin më të lartë në Europë sipas Eurostat. Kjo nuk është ekonomi, por narko-ekonomi.”
Ai dha edhe një të dhënë shqetësuese për emigracionin masiv:
“Nga 2014 deri më 2024, janë larguar 1 milion e 99 mijë shqiptarë vetëm drejt vendeve të zonës Shengen. Shqipëria është kthyer në prodhues emigrantësh dhe refugjatësh.”
Në përfundim, Berisha u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos mbyllin sytë përballë autokracisë që po konsolidohet në Shqipëri në emër të një stabiliteti të rremë.