Kreu i PD-së Sali Berisha ishte mbrëmjen e sotme në Fier për të prezantuar kandidatët për deputetët në këtë qark për zgjedhjet e 11 majit.

Berisha: Të dashur qytetare dhe qytetarë të Fierit, Lushnjes, Mallakastrës, Patosit, Roskovecit.

Të dashur myzeqare dhe myzeqarë, mallakastriote dhe mallakastriotë, kosovare dhe kosovarë, labe dhe lebër, mirënjohje të pakufishme, nderimin më të madh për mesazhin tuaj që përcillni në qarkun e Fierit dhe mbarë Shqipërisë, mesazhin e fitores, mesazhin e triumfit, mesazhin e ndarjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve nga një e keqe e madhe dhe e pamerituar që ata përjetuan këto 12 vite.

I dashur zoti Gazment Bardhi, udhëheqës politik i qarkut të Fierit.
Kryetarë të degëve të PD të këtij qarku, përfaqësues të shkëlqyer të qytetarëve të Fierit, Lushnjes, Mallakastrës, Patosit, Roskovecit në parlamentin e ardhshëm, krenaria e qytetarëve të këtij qarku, krenaria e shqiptarëve kudo që janë.

Një përshëndetje të përzemërt kam për të gjithë bijtë dhe bijat e Fierit, Lushnjes, Mallakastrës, Patosit dhe Roskovecit kudo që ndodhen sonte, në Shqipëri dhe diasporë.

Të dashur miq, sot në mbarë vendin, entuziazmi, energjia, optimizmi i popullit opozitar tek fitorja ka bërë që era e demokracisë të fryjë në të katër anët e këtij vendi të bekuar.

Unë jam sot para jush për të paraqitur së bashku me përfaqësuesit tuaj të ardhshëm projektin tonë për Fierin madhështor, Lushnjen madhështore, Mallakastrën madhështore, Patosin madhështor, Roskovecin madhështor.

Unë vij tek ju si përfaqësues i koalicionit më të madh opozitar të krijuar që nga vitet ’90 gjer sot.
Por vij gjithashtu me projektin më të mirë, me projektin që krijon mundësi të re për çdo shqiptare dhe shqiptar, për çdo të ri dhe të re, për çdo burrë dhe grua, për çdo fermer dhe punëtor, për çdo biznesmen, për mbarë qytetarët shqiptarë.

Projekti ynë nis jetën e tij me mbrojtjen e vlerave themelore të individit, të familjes, të shoqërisë.
Ne besojmë se dinjiteti i njeriut, se dinjiteti njerëzor është vlera e të gjitha vlerave, për të cilën jemi të gatshëm të bëjmë çdo sakrificë, të paguajmë çdo çmim në mënyrë që çdo shqiptar të trajtohet me dinjitet, me dinjitet, me dinjitet.

Këto 12 vite, ata që e etiketuan veten si rilindas, ata zhytën në mjerim, në skamje të skajshme, ata detyruan të qajnë me lot të ftohtë mjerimi qindra e mijëra burra dhe gra, të moshuar, që sot paguhen me një pension më të pakët se sa paguan gjermani një qen shtëpie apo një mace shtëpie.

Jo, kurrë më kjo nuk pranohet.
Ndaj dhe ne shpallim solemnisht se në Shqipëri në 100 ditët e para do ketë zero varfëri ekstreme. Mjerimin do e përjashtojmë nga Shqipëria.

Miqtë e mi, nuk ka dhe nuk do ketë pensionist me cilindo lloj pensioni, të pjesshëm, të plotë, etj, që do marrë më pak se 200 euro në muaj.

Nuk ka dhe nuk do ketë të papunë, me ndihmë ekonomike, studentë me bursë, jetimë në familje që do marrë më pak se 200 euro.

Nuk do ketë më shqiptar që do numërojë kafshatën.
Nuk do ketë më shqiptar që nuk do mund të blejë ilaçet e tyre.

Jo dhe jo.
Lista e republikës italiane për ilaçet e rimbursueshme do jetë lista juaj, lista e Shqipërisë.
E thashë dhe e them se ne do e fillojmë nga dinjiteti njerëzor.

Por nuk e lëndon asgjë më shumë dinjitetin se sa skamja që të detyron të numërosh kafshatën.
Nuk e lëndon asgjë më shumë shpirtin e njeriut dhe dinjitetin se sa sofra që nuk të lejon të ushqesh fëmijët e tu.
Ndaj dhe kjo merr fund.

Dhe jo vetëm kaq.
Rrogat minimale do të jenë brenda 3 muajve 500 euro.
Asnjë rrogë më pak.

Ushqimet rrogëulëtit, pensionistët, do t’i marrin 20 përqind më lirë se të tjerët. E gjithë TVSH-ja e blerjeve të tyre do u rikthehet dhe në një vit arrin 450 euro, arrin rreth dy-tre pensione, arrin rreth një rrogë minimale.

Pra miq, me këtë projekt ne u krijojmë një mundësi atyre që shkrinë jetën e tyre në ndërtimin e kësaj Shqipërie e kemi sot, të jetojnë me dinjitet.

Të mos presin ilaçet e tyre nga njerëzit e tyre jashtë, por t’i marrin këtu pa lekë, dhe t’i marrin të njëjtën cilësi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu