
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim në Bulqizë, ku shpalosi planin e opozitës për përmirësimin e kushteve të jetës dhe punës së minatorëve.
Berisha theksoi se shëndeti i minatorëve do të jetë prioritet absolut, me trajtim mjekësor të specializuar sipas profileve specifike të minierave, duke njohur rreziqet nga grimcat dhe ndotja e vazhdueshme. “Shëndeti i minatorit do ketë një përparësi të madhe,” tha ai.
Ai premtoi gjithashtu shtrirjen e kartës së konsumatorit për të gjithë minatorët, zjarrtarët dhe gjeologët, duke u dhënë atyre mundësinë që të blejnë mallrat e konsumit 20% më lirë.
Një tjetër pikë kyçe e programit të opozitës, sipas Berishës, është renta minerare. “Ne futëm për herë të parë rentën sepse jemi parti e taksave të ulëta. Ajo taksë duhet t’i mbetet Bulqizës, për shkollat, për qendrën shëndetësore. Merr fund grabitja! Renta do i mbetet komunitetit lokal,” u shpreh Berisha, duke theksuar se kjo është e përcaktuar edhe në marrëveshjet ndërkombëtare që Shqipëria ka firmosur.
Berisha e vuri theksin te pasuria minerare e vendit, duke deklaruar se Shqipëria ka një shumëllojshmëri të madhe minerale dhe se këto burime duhet të shndërrohen në mirëqenie për komunitetet vendase. Ai vlerësoi angazhimin e drejtuesve vendorë si Xhelal Mziu dhe Gëzim Kalaja për mbrojtjen e të drejtave të minatorëve, duke premtuar ndryshime pas 11 majit.
Në fjalën e tij, Berisha ironizoi kryeministrin Rama, duke e quajtur “i trembur dhe i rrethuar” për shkak të skandaleve dhe akuzave ndërkombëtare, ndërsa e akuzoi për mungesë interesi ndaj halleve të njerëzve dhe për fokus tek luksin personal. “Çfarë i hyn në punë minatorëve Lamborghini i Noizit? Apo Kopshti i Edenit që e blen 5 milionë euro, ndërsa të sëmurët në Onkologjik i lë pa ilaçe?”, tha Berisha.
Në përfundim, Berisha përcolli mesazhin e vendosmërisë për të mbrojtur të drejtat e minatorëve dhe komuniteteve që jetojnë nga pasuritë natyrore, duke i quajtur ata “piedestali i vërtetë i Shqipërisë”.