Në një deklaratë  nga Brukseli, ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përpjekje të mëdha për të manipuluar raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa ka paralajmëruar angazhimin e qytetarëve shqiptarë në Europë në mbrojtje të votës së tyre.

Berisha, i cili ndodhet në Bruksel për takime me zyrtarë të Partive Popullore Evropiane (PPE), shprehu mirënjohjen për mbështetjen që, sipas tij, ka marrë nga eurodeputetët për denoncimet ndaj qeverisë Rama dhe manipulimit të zgjedhjeve të 11 majit. Ai theksoi kontributin e deputetëve si kryetari David McAllister, koordinatori i PPE, Michael Gahler, dhe të tjerë që, siç tha Berisha, “denoncuan publikisht regjimin e Ramës”.

“Edi Rama ka bërë përpjekje të mëdha për të ndryshuar raportin e OSBE/ODIHR, madje duke ushtruar presione të papranueshme mbi vëzhguesit ndërkombëtarë. Kjo është një ndërhyrje banditeske,” u shpreh Berisha.

Ai njoftoi gjithashtu se në Asamblenë Politike të PPE u diskutua gjerësisht për situatën në Shqipëri dhe se u dha mbështetje për kërkesën e deputetes Albana Vokshi që dokumentet e miratuara në Valencia, përfshirë denoncimet për farsën zgjedhore, të shërbejnë për të sensibilizuar më tej institucionet ndërkombëtare.

Duke e cilësuar këtë vizitë si një mision të suksesshëm në “tempullin e demokracisë europiane”, Berisha theksoi se Partia Demokratike dhe përfaqësuesit e saj në Bruksel po hartojnë një plan të qartë veprimi.

“Po paralajmërojmë të gjitha format e angazhimit të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit për votën e tyre. Edi Ramës do i ngecë në fyt vota e diasporës dhe dhunimi që iu bëri zgjedhjeve,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se mund të pasojnë protesta në arenën ndërkombëtare.

Berisha e mbylli deklaratën me një paralajmërim të fortë: “Qytetarët europianë do i dalin zot votës së tyre të shkelmuar nga narkoregjimi i Edi Ramës.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu