
Në ditën e Rinisë, 8 Dhjetor, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përkujtuar 35-vjetorin e lëvizjes studentore të vitit 1990, duke e cilësuar këtë datë si “ditëlindjen e lirive të shqiptarëve”.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal te roli vendimtar i studentëve të Universitetit të Tiranës dhe shkollave të tjera të larta, të udhëhequr nga Azem Hajdari, të cilët sipas tij, nisën revolucionin demokratik që rrëzoi diktaturën komuniste dhe vendosi pluralizmin politik në Shqipëri.
“8 Dhjetori i vitit 1990 ndau epokat dhe shënoi fillimin e epokës së lirisë për shqiptarët. Studentët e dhjetorit ishin heronjtë e vërtetë që, të braktisur dhe të vetëm, u përballën me regjimin më represiv të Europës dhe fituan”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se lëvizja studentore shënoi fitoren e parë të madhe paqësore në historinë e vendit, duke çuar në pranimin e pluralizmit politik dhe themelimin e Partisë Demokratike, partisë së parë opozitare në Shqipërinë e pasluftës.
Në një tjetër mesazh, Berisha deklaroi se Azem Hajdari dhe studentët e dhjetorit do të mbeten përgjithmonë në panteonin e lirisë së kombit shqiptar, duke e quajtur vitin 1990 nga një “vit shprese të vrarë” në “vitin e mrekullisë për shqiptarët”.
Sipas tij, idealet e dhjetorit hodhën themelet e shoqërisë së lirë, integrimit europian dhe euroatlantik të Shqipërisë, si edhe ndikuan drejtpërdrejt në realizimin e aspiratave kombëtare shqiptare, përfshirë pavarësinë e Kosovës.
Në deklaratën e tretë, Berisha e lidhi simbolikën e 8 Dhjetorit me situatën aktuale politike, duke sulmuar ashpër qeverinë e kryeministrit Edi Rama, të cilën e cilësoi si regjim autoritar dhe narkoshtet.
“Sot, shpresa e vetme për të përmbysur këtë regjim është sërish rinia shqiptare, Gjenerata Z, trashëgimtare e idealeve të dhjetorit 1990”, u shpreh Berisha, duke bërë thirrje për angazhim të të rinjve në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit.
Në përmbyllje, Berisha i uroi të rinjtë për Ditën e Rinisë dhe përsëriti thirrjen për nderim të përjetshëm ndaj Azem Hajdarit dhe studentëve të dhjetorit 1990, të cilët, sipas tij, “shkallmuan dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët”.






