Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër pas vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja brenda ambienteve të gjykatës, duke e cilësuar ngjarjen si pasojë direkte të dështimit të shtetit për të garantuar sigurinë në institucionet e drejtësisë.

“Mblidhemi sot pasi narkoshteti shqiptar vrau gjykatësin në zyrën e tij,” deklaroi Berisha, duke theksuar se ndonëse dorasi nuk ishte punonjës shteti, akti nuk do të ishte i mundur nëse shteti funksiononte si shtet dhe jo si narkoshtet.

Ai e cilësoi sallën e gjyqit si vendin më të sigurt të shtetit, për shkak të natyrës së ndjeshme të proceseve që zhvillohen aty, dhe e quajti të papranueshme që një gjykatës të qëllohej me breshëri brenda institucionit, sikur të ndodhej në rrugë apo në një lokal.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndryshimin e skemës së sigurisë në gjykata, duke iu referuar një vendimi të datës 8 korrik 2020, që sipas tij anulon vendimin e mëparshëm të qeverisë së vitit 2010, i cili ngarkonte Policinë e Shtetit me përgjegjësinë për mbrojtjen e gjykatave dhe prokurorive.

“Sipas vendimit të ri, siguria nuk është më në dorën e Policisë së Shtetit, por i është kaluar asaj që unë e quaj Policia e Xhepit,” tha Berisha, duke akuzuar se ky ndryshim ka sjellë një vakum sigurie dhe ka lejuar që ngjarje të tilla tragjike të ndodhin.

Ai shtoi se pas këtij vendimi, zyrtarë ministri i Brendshëm  “lanë duart” nga përgjegjësia, duke deklaruar se policia nuk ka më kompetencë për sigurinë në gjykata.

“Pra, ia dha patronazhistëve, policisë së xhepit, mbrojtjen,” përfundoi Berisha, duke kërkuar transparencë dhe rikthim të përgjegjësisë institucionale për sigurinë në sistemin e drejtësisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu