
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një intervistë me Unionin e Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës, e cilësoi procesin zgjedhor të 11 majit si një farsë elektorale, duke theksuar se narko-diktaturat si ajo që ai akuzon se drejton Shqipërinë, nuk përmbysen përmes votës. Berisha deklaroi se opozita përfaqëson një kauzë të drejtë, por është e pafuqishme përballë një regjimi që kontrollon drejtësinë, zgjedhjet dhe mediat.
Berisha foli për mungesën e reagimit të duhur ndërkombëtar, duke theksuar vështirësinë e Perëndimit për të kuptuar natyrën e një narko-diktature që sipas tij nuk ka precedentë në Evropë. Ai përmendi pesë rezolutat e miratuara nga organizatat ndërkombëtare të qendrës së djathtë (CDI, IDU dhe PPE) që dënojnë qeverisjen e Edi Ramës dhe procesin zgjedhor të 11 majit.
I pyetur për rrugën përpara, Berisha theksoi se opozita duhet të mobilizojë qytetarët në një lëvizje të fuqishme popullore, pasi vota “vdes pa hyrë në kuti”. Ai kritikoi ashpër marrëveshjet ndërkombëtare të qeverisë, si ajo me Italinë për migrantët, duke e akuzuar Ramën se “shitet për mbështetje ndërkombëtare”.
Berisha e cilësoi programin e PD-së si “më të mirin në historinë e Shqipërisë”, por theksoi se kjo nuk ka vlerë në kushtet e një procesi të kapur nga pushteti.