
Protesta e opozitës në Tiranë është mbyllur përpara selisë së Partisë Demokratike, ku kreu i PD, Sali Berisha, mbajti një fjalim para mbështetësve.
Berisha falënderoi protestuesit për pjesëmarrjen dhe qëndresën, duke theksuar se ata “nderuan 22 marsin”, datë që sipas tij simbolizon përmbysjen e diktaturës komuniste.
“Me guximin dhe trimërinë tuaj e nderuat këtë datë historike dhe i dhatë goditjen më të merituar diktaturës së sotme”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, lideri i opozitës paralajmëroi për vijimin e protestave, duke u shprehur se beteja e radhës do të jetë edhe më e fortë. Ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të japë dorëheqjen.
“Edi Rama, jep dorëheqjen sa më shpejt, përndryshe do të përfundosh ashtu siç s’ta pret mendja”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi qeverinë për korrupsion dhe abuzim me pushtetin, ndërsa theksoi se “qëndresa dhe ndëshkimi” ndaj saj do të vijojnë.
Protesta u zhvillua mes tensioneve dhe përplasjeve me policinë, ndërsa në fund Berisha e cilësoi tubimin si një “kryengritje paqësore” të qytetarëve.



