Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke e cilësuar atë si një nga zyrtaret më të korruptuara.

Gjatë një deklarate për mediat, Berisha u shpreh se Shqipëria nuk ka pasur në histori një figurë të tillë që ai e cilësoi si “hajdute të kombit”.

Sipas tij, përgjegjësia kryesore për situatën politike dhe aferat korruptive në vend i takon kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi se po shmang përballjen me drejtësinë.

“Edi Rama ka vendosur të shkelë çdo ligj dhe çdo normë për të mbrojtur veten e tij. Në asnjë rrethanë ai nuk pranon të ulet para prokurorëve për aferat e panumërta korruptive që ka. Kjo që zhvillohet është vetëm aparencë. Ky komb hajdute si Lubi Balluku nuk ka patur në historinë e tij”, deklaroi Berisha.

Kreu i opozitës komentoi gjithashtu edhe një letër të firmosur nga kryeministri Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, duke pretenduar se ajo përbën një sinjal kundër Bashkimit Europian.

Sipas Berishës, përmes kësaj letre Rama i ka dërguar një mesazh BE-së se preferon bashkëpunimin me Beogradin.

Ai shtoi se ndërhyrjet e fundit të komunitetit ndërkombëtar për respektimin e shtetit ligjor dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, sipas tij, janë injoruar nga qeveria.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu