Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e konsideroi si një “asgjësim të Kuvendit” mbylljen e seancës së 9 tetorit në Parlament, pas tensioneve që shoqëruan debatet për çështjen e Arubës dhe takimet e dyshuara të ministrave me kartelet e drogës.

Në një deklaratë për mediat jashtë sallës, Berisha theksoi se seanca u mbyll sapo ai denoncoi refuzimin e kryeministrit Edi Rama dhe të ministrave të tij për të dhënë llogari lidhur me takimin e zhvilluar në ishullin e Arubës. “Ky është parlament që nuk duhet të ekzistojë asnjë ditë,” deklaroi Berisha.

Sipas kryedemokratit, tashmë është e dokumentuar se kryeministri Rama mban kontakte me kartelet e drogës, një problem që sipas tij prek jo vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin dhe Europën. “Ngrihet pa asnjë përgjegjësi, merr urdhër nga Edi Rama… dhe mbylle i thotë,” tha Berisha, duke komentuar mënyrën se si u menaxhua seanca.

Ai shtoi se seanca u ndërpre për shkak të denoncimit të tij dhe refuzimit për të diskutuar interpelancën në lidhje me këtë çështje: “Nuk kishte asnjë lloj, përkundrazi insistuam në një të drejtë kushtetuese të deputetëve. 10 orë debate të parashikuara në rregullore, u mbyllën dhe ikin.”

Berisha garantoi gjithashtu se opozita do të vazhdojë të insistojë për respektimin e Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit dhe për të siguruar që çdo mocion apo interpelancë të trajtohet sipas ligjit: “Absolutisht ne do insistojmë të mbrojmë Kushtetutën dhe rregulloren e parlamentit. Edhe ne pastaj do t’ju japim përgjigje.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu