
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi se opozita do të përdorë çdo mjet politik për të denoncuar Kodin e ri Penal, i cili sipas tij është ligji i ndëshkimit masiv të qytetarëve.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se ky Kod, që u prezantua nga qeveria ditën e premte, parashikon dënime me burg për qytetarët, edhe për shkelje të qarkullimit rrugor.
“Ky Kod është Kodi i ndëshkimit masiv të qytetarëve. Sot, me këtë Kod, qytetari shqiptar dënohet me burg për një parkim të gabuar. Me këtë Kod, qytetari shqiptar burgoset për një kundërshtim që i bën një polici pijanec apo të droguar.”
Berisha vuri në dukje se, ndërsa ndëshkon qytetarët, Kodi parashikon lirimin e të dënuarve me burgim të përjetshëm pasi kanë kryer 35 vite burg.
“Është kodi që vrasësit serialë i nxjerr nga dënimi i përjetshëm dhe u jep një shans të dytë, në një kohë kur në të gjitha ligjet, dhe sot në ligjet e vendeve demokratike të botës, ata marrin dënimin me vdekje. Dhe në qoftë se pyeten qytetarët sot, janë të gatshëm të votojnë për rivendosjen e dënimit me vdekje. Por, meqenëse ka ndodhur që këta janë enturazhi i Edi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë, atëherë duhet të bëjmë ligjin që këtyre t’u japim një shans të dytë.”
Nga ana tjetër, Berisha akuzoi hartuesit e Kodit se kanë rikthyer nenin për agjitacion dhe propagandë, duke dënuar me burg qytetarët për fjalën e lirë.
“Ky Kod ka rikthyer nenin 55 të diktaturës komuniste. Imagjinoni ju tani, që në qoftë se ti thua se Irena Gjoka, me fakte, është një delinkuente, një kriminele që ka fshehur krimet e saj, që është e dënuar me burg dhe që, për shkak të këtij dënimi, ajo kurrë nuk mund të ishte magjistrate gjyqtare, por që e kanë futur si peng për ta keqshfrytëzuar në mënyrën më të egër.”
Kodi Penal miratohet me 84 vota dhe, përgjatë 4 viteve të fundit, qeveria Rama nuk mund ta miratonte pa votën e opozitës. Por në legjislaturën e re, PS dhe PSD kanë 86 deputetë dhe Partia Demokratike nuk ka asnjë mjet politik për të ndaluar miratimin e Kodit./vizionplus