Vendimet e firmosura ditët e fundit nga Donald Trump në SHBA po bëhen pjesë e premtimeve të Sali Berishës në Shqipëri. Njësoj si Presidenti amerikan, Kryedemokrati tha se do të sanksionojë me ligj njohjen e vetëm dy gjinive, ndonëse legjislacioni shqiptar në fuqi përcakton të njëjtën gjë. “Sanksionojmë se Shqipëria njeh vetëm dy gjini, ato që i ka bërë zoti mashkull dhe femër”, tha Berisha.
Por kjo nuk do jetë masa e vetme e Partisë Demokratike për të ruajtur vlerat konservatore në shoqëri. “Ligji tjetër do jetë që me denim për atë qe flet për prindin 1 dhe prindin 2, do ketë sanksione. Do i bëjmë këto që të çelikosim vlerat e shoqërisë sonë”.
Këto premtime janë pjesë e një fushate që Berisha thotë se do të ndërmarrë me synimin për të zhbërë politikat e majta që sipas tij janë nxitur nga Soros. “Është e domosdoshme një seri aktesh, vendimesh, të cilat sjellin desorosizimin e shpejtë të shoqërisë shqiptare. Është fakt i pamohueshëm se në botë, kopshti eksperimental i Xhorxh Sorosit u bë Shqipëria”.
Këto deklarata kreu i opozitës i bëri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, ku njoftoi edhe ngritjen e një departamenti që do të merret me dosjet e familjes Rama. “Tani do krijohet këtu një grup, një departament i luftës kundër korrupsionit, në të cilën ekspertët tanë do përgatisin çdo dosje me të gjithë dokumentacionin se të harrojë kush që mund të kalojë krimet që ka bërë i mbrojtur nga njerëz të marrë peng. Jo, krahas vendimeve, qeveria do procedojë dosjet e korrupsionit për Edi Ramën, familjarët e tij”.
Prej deputetëve kërkoi më shumë punë deri në ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet e 11 majit. (A2 Televizion)