
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me ftesën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për krijimin e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes”, duke deklaruar se opozita shqiptare mbështet dhe vlerëson përpjekjet për arritjen e paqes në Gaza.
I pyetur nga gazetarët nëse deputetët e Partisë Demokratike do të votojnë në Kuvend pro aderimit të Shqipërisë në këtë bord, Berisha tha se nuk ka dijeni zyrtare për këtë çështje dhe se është informuar për herë të parë përmes mediave.
“Nuk kam asnjë dijeni për këtë. Po informohem nga ju. Parimisht, ne mbështesim plotësisht dhe vlerësojmë lart përpjekjen për paqe në Gaza, planin për paqe të Presidentit Trump. Nuk di asgjë më shumë se kaq”, u shpreh Berisha.
Kritika ndaj qeverisë
Duke iu referuar vendimit të qeverisë për miratimin e aderimit të Shqipërisë në “Bordin e Paqes”, i cili pritet të shqyrtohet nga Kuvendi, kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e trajton këtë çështje me urgjencë për arsye politike, duke e lidhur atë me situatën e protestave në vend.
Megjithatë, Berisha theksoi se ftesat ndërkombëtare për Shqipërinë i drejtohen kryeministrit, si përfaqësues i ekzekutivit, pavarësisht kritikave të tij ndaj Ramës.
“Bordi i Paqes, nga sa di unë, ka dërguar ftesa për shumë vende. Presidenti Trump ka ftuar shtete të ndryshme. Në Shqipëri, shefi i ekzekutivit nuk është presidenti, por kryeministri, pasi presidenti ka rol ceremonial. Për rrjedhojë, ftesa i takon kryetarit të qeverisë. Ky është komenti im”, deklaroi Berisha.
Në përfundim, ai shtoi se, sipas tij, kjo ftesë nuk e forcon pozicionin ndërkombëtar të kryeministrit, por nënvizoi se për sa kohë Rama përfaqëson Shqipërinë në planin ekzekutiv, ftesat zyrtare do t’i adresohen atij.






