
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me debatin mbi imunitetin dhe hetimin e korrupsionit, duke theksuar se qëndrimi i tij ka qenë gjithmonë kundër çdo lloj mbrojtjeje kushtetuese që pengon drejtësinë.
Berisha deklaroi se ka qenë vetë iniciatori i amendamentit kushtetues në vitin 2012, i cili synonte heqjen e çdo kufizimi për Prokurorinë në hetimin e korrupsionit.
“Së pari, ne jemi kundër çdo lloj imuniteti për efektet e korrupsionit. Ju rikujtoj se në vitin 2012 kam qenë personalisht iniciatori i amendamentit me të cilin hiqej, për efekt të hetimit të korrupsionit, çdo lloj kufizimi kushtetues për prokurorinë, në një kohë kur prokurorja ishte armike e betuar e qeverisë së Sali Berishës. Dhe ai qëndrim ka qenë i drejtë,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, nëse ky amendament do të ishte miratuar, Shqipëria nuk do të ndodhej sot në situatën aktuale.
“Nëse ai amendament do të ishte votuar, nuk do të arrinim sot në absurditetin që Shqipëria të jetë i vetmi vend në Europë ku korrupsioni nuk mund të luftohet, për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese,” tha Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi Gjykatën Kushtetuese se me heqjen e masës së pezullimit ka krijuar hapësira për asgjësimin e provave.
“Gjykata Kushtetuese hoqi masën e pezullimit, duke i krijuar të gjitha mundësitë Edi Ramës dhe Lubi Ballukut të shkatërrojnë çdo provë,” deklaroi ai.
Berisha foli edhe për atë që e cilësoi si një fushatë propagandistike nga mazhoranca, lidhur me mesazhet që sipas tij janë prova të rëndësishme.
“Kanë filluar fushatën kundër mesazheve. Të gjithë vuvuzelat e propagandës së tij pyesin se çfarë janë këto mesazhe, ç’vlerë kanë ato e me radhë. Edhe aty do t’ia dalin, mos kini merak,” tha Berisha.
Në fund të deklaratës, Berisha sulmoi edhe Avokatin e ri të Popullit, Endri Shabani, duke e quajtur “njeriun e pazareve të Edi Ramës”, ndërsa theksoi se vendimi final, sipas tij, i takon qytetarëve.
“Prandaj është koha e sovranit, është koha të flasë sovrani,” përfundoi Berisha.






